Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të propozojë edhe Vjosa Osmanin për presidente, tha kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, raporton KosovaPress.
Ai, pas ofertës së LVV-së karshi PDK-së dhe LDK-së për të propozuar tri emra konsensualë për president, tha se nëse kryeministri Albin Kurti dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, “atëherë do të propozojnë emra, ku mund të jetë edhe Vjosa Osmani”.
Për cilindo propozim të LDK-së për president, Abdixhiku këmbënguli se do të jenë edhe pesëmbëdhjetë votat e deputetëve të kësaj partie.
“Ne i kemi 15 vota për propozimin e LDK-së. Sapo diskutuam se çkado që propozon LDK-ja, por duhet me pas një marrëveshje politike. Ne ulemi dhe e bëjmë marrëveshjen politike LVV–LDK, nëse donë me bo vetëm me neve, por nëse dëshiron edhe me PDK-në, urdhëro merruni vesh me ta. Por kandidatin që e vendos LDK-ja, ne i kemi 15 vota. Ky është qëndrim i grupit. Ato diskutime që po flitet se LDK-ja s’i ka 15 vota për propozimin e LDK-së janë të pavërteta. Ne patëm takim në grup dhe patëm dakordim që për propozimin e LDK-së, që është zyrtar, ne i kemi 15 vota. Por se përjashtojmë dhe mund të jetë kandidatja Vjosa Osmani, por duhet ta dimë a i ka 66 vota”, shtoi ai.Lëvizja Vetëvendosje të shtunën ka ftuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partinë Demokratike dhe Lidhjen Demokratike, që të dalin me tre emra të përbashkët, jo partiakë dhe unifikues, për president deri të dielën në mbrëmje.
Sipas tij, në këtë formë Kurti po dëshmon se nuk po mundet pa PDK-në.
“Për LDK-në kjo është e mbyllur, por nëse duhet deri në momentin e fundit dhe mos me thanë që s’po dojnë dhe po dojnë bllokada me bë gjuhë politike e fajësuese. Tani jemi në fushatë, por gjithçka ia vlen. Për mua është e mbyllur sepse s’kemi pasur marrëveshje pasi ka insistuar që kandidati të jetë i LVV-së”, shtoi ai.