Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka votuar pro propozimit të kryetarit të kësaj partie Lumir Abdixhiku, që ky i fundit të jetë kandidat për kryeministër, ndërsa Vjosa Osmani kandidate për president dhe bartëse e listës.
Ky propozim, i miratuar tashmë nga kryesia e partisë, është paraqitur si një ofertë e plotë politike për t'i dhënë fund një krize të gjatë institucionale.
Gjatë fjalimit të tij para Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Abdixhiku bëri një analizë të thellë të situatës politike, duke e cilësuar atë si një “krizë të normalizuar” që ka pllakosur vendin për më shumë se një vit e gjysmë.
Ai kritikoi ashpër atë që e quajti “mendësi e kapjes së gjithçkaje”, duke akuzuar kundërshtarët politikë se po kërkojnë kontrollin absolut mbi qeverinë, kuvendin dhe presidencën, duke e shndërruar vendin në një sistem “parti-shtet”.Sipas Abdixhikut, as ai dhe asnjë anëtarë i LDK-së, nuk mund të pranonte një situatë ku një parti përfundon me një kontroll të plotë mbi qeveri, mbi shumicën në kuvend, e kontroll të plotë me anëtarë partie në presidencë.
Ai në fund theksoi se LDK do të dalë para qytetarëve dhe me një listë garuese që e përfaqëson seriozitetin, përgatitjen dhe frymën e re të shtetit që duhet edhe duam ta ndërtojmë.