OEK kërkon veprime urgjente për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
OEK kërkon veprime urgjente për përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit
OEK
Foto Ilustruese
29/04/2026 - 10:59
Linku u kopjua

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të rëndësishme të transformimit energjetik.

Sipas njoftimit, zhvillimet e fundit në rajon – përfshirë marrëveshjen ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhje me terminalin LNG në Krk, si dhe marrëveshjen e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dëshmojnë qartë se Ballkani Perëndimor po ripozicionohet në hartën energjetike të Evropës.

Në këtë kontekst, mungesa e Kosovës në këto iniciativa paraqet rrezik serioz për sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.

“Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike,” është cituar në reagim kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

OEK thekson se përfshirja e Kosovës në këto projekte duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese.

Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve vendore që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026