Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh qëndrimin e saj se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të sillte përfitime të konsiderueshme për komunitetin e biznesit në Kosovë, duke përfshirë rritjen e mundësive për tregti dhe investime, të cilat do të ndihmonin në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike.
Sipas njoftimit, Oda Amerikane u bën thirrje të dyja shteteve që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të zbatojnë zotimet e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, nga të cilat do të përfitonin si Kosova, asht edhe Serbia.
Spas komunikatës së kësaj ode, tensionet e vazhdueshme politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë pasur një ndikim të rëndësishëm në aftësinë e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte.
“Çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve kanë krijuar një mjedis të paqëndrueshëm që është dekurajues për bizneset e huaja të investojnë në Kosovë, pasi investitorët hezitojnë të investojnë paratë e tyre në një vend me një nivel të lartë të pasigurisë politike, i cili rrit rreziqet që lidhen me investimet e tyre. Përveç kësaj, mungesa e një marrëveshjeje formale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka krijuar pengesa për bizneset në aspektin e logjistikës, transportit dhe tregtisë, gjë që i pengon edhe më tej investimet e huaja përgjatë rajonit”, thuhet më tej në njoftim.
“Mungesa e një marrëveshjeje formale mes dy vendeve ka rezultuar në barriera tregtare duke e bërë të vështirë për bizneset kosovare që të eksportojnë mallra dhe shërbime në Serbi, si dhe duke penguar aftësinë e tyre për të konkurruar me bizneset serbe në rajon. Kjo ka çuar në humbjen e mundësive afariste për firmat kosovare, gjë që ka penguar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit”.
Oda Amerikane beson fuqishëm se normalizimi i marrëdhënieve do të krijonte një mjedis politik më të parashikueshëm, i cili do të rriste besimin e investitorëve dhe do të inkurajonte më shumë investime të huaja direkte, gjë që është kritike për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.