Octopus del me rekomandime si duhet qasur Serbisë së Aleksandar Vuçiqit
Lexohet për: 10 min.
10 muaj më parë
Linku u kopjua

Instituti Octopus ka dalë me disa rekomandime politike për mënyrën e qasjes së re ndaj Beogradit zyrtar.

Octopus thotë se Perëndimi duhet të përdorë politikën e ndihmës së kushtëzuar, duke sanksionuar vazhdimin e ndihmave financiare, proceseve integruese dhe raporteve të mira me Serbinë vetëm nën kushtet se kjo e fundit do të demokratizohet rrënjësisht dhe të ndryshojë qasjen ndaj fqinjëve.

Sipas Octopus, SHBA dhe BE duhet përfundimisht të ndryshojnë kursin politik ndaj Serbisë - të ndërpritet menjëherë politika e tolerancës së agresionit dhe regjimi i Aleksandar Vuçiq duhet të denoncohet si i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin rajonal, dhe të izolohet si lider luftënxitës dhe mbështetës i Vladimir Putin-it.

Octopus thotë se vetëm një Serbi demokratike, me lidership legjitim, që njeh realitetin rajonal, pavarësinë e Kosovës dhe me qasje evropiane mund t’i shërbejë paqes së qëndrueshme, dhe mund të bëhet pjesë e planeve afatgjate për marrëveshje në kushte të barabarta me Kosovën.

“Perëndimi duhet t’ia bëjë me dije autokratit Vuçiq se ai nuk është partneri me të cilin mendohet bashkëpunimi në fazat e mëtejshme integruese, dhe kështu të krijohen kushtet dhe horizontet për lidership të ri politik në Serbi, nën kushtet e qarta të reformave të thella demokratike, sidomos zgjedhjeve të lira, heqjes së kontrollit ndaj mediave, sundimit të ligjit, si dhe me kushtin e qartë të njohjes përfundimtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës”, thekson Octopus.

Shkrimi i plotë:

Në Serbi tashmë autoritarizmi i presidentit Aleksandar Vuçiq është konsoliduar deri në masën sa është lidhur pazgjithshmërisht me fatin politik dhe historik të dekadave të fundit të shtetit serb.

Përqendrimi i madh i pushtetit i manifestuar me kontroll të mediave dhe të shoqërisë civile, nënshtrimi i opozitës, lidhjet e fuqishme me nëntokën, makinacionet zgjedhore (sidomos ato të fundit të 17 dhjetorit), lidhjet me diktatorin Putin, dhe pas pushtimit të Ukrainës, çuditërisht qasja tolerante e Perëndimit ndaj presidentit autoritar serb Aleksandar Vuçiq e ka shndërruar këtë të fundit në një aventurier të shfrenuar politik, dhe me prirje jashtëzakonisht destruktive për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Argumentet qendrore të tezës së parashtruar në këtë tekst janë domosdoshmëria dhe urgjenca që Perëndimi ta ndryshojë qasjen politike ndaj Serbisë, duke mos e toleruar agresionin dhe qasjen armiqësore të presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj Kosovës, dhe shteteve të tjera ballkanike, dhe domosdoshmërinë e shtyrjes përpara të idesë së demokratizimit të Serbisë.

Politika e “appeasement”, që gjeti përdorim të gjerë në periudhën mes luftërave botërore e sidomos me përpjekjet e kryeministrit britanik Neville Chamberlain për ta qetësuar (Adolf) Hitlerin duke i toleruar përpjekjet ekspansioniste të tij, nënkupton tolerancën e qëllimshme ndaj qasjes agresive të kundërshtarit vetëm për të shmangur luftën. Ka një debat të gjerë për “appeasement” si strategji e politikës botërore, dhe akademikët janë të ndarë në këtë plan: me Stephen Rock dhe Fareed Zakaria që argumentojnë pro, ndërsa me John Mearsheimer dhe Robert Kagan që e kundërshtojnë si qasje dhe strategji.

Kuadri teorik i idesë së “appeasement” dhe aspekti historik i përdorimit të tij kanë rëndësi për të ilustruar qartë atë çfarë ky tekst orvatet të përçojë: pra faktit se “appeasement”, apo toleranca dhe mirëkuptimi ndaj apetiteve ekspansioniste të autokratëve dhe diktatorëve nuk funksionon, ashtu siç nuk funksionoi me Hitlerin, kur dihet qartë që Lufta e Dytë Botërore nuk u shmang, dhe Hitleri nuk u përmbajt, pavarësisht përpjekjeve të Chamberlain.

Toleranca si mënyrë për ta tërhequr presidentin Vuçiq ka dështuar

Viteve të fundit Perëndimi ka aplikuar një qasje të butë dhe përgjithësisht tolerante ndaj Aleksandar Vuçiq-it; kjo për shkak edhe të shpresës se kështu Serbia do të tërhiqet nga ndikimi rus, por edhe për arsye të një vlerësimi jo të drejtë gjeopolitik, që është pasojë e arsyes së parë, pra të rivendosjes së Serbisë në qendër të zhvillimeve në rajon. Pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022 i krijoi Serbisë dhe presidentit autoritar Aleksandar Vuçiq avantazhe pakrahasimisht më të mëdha në qasjen që Perëndimi aplikoi ndaj saj. Toleranca ndaj sjelljeve destruktive të Serbisë, herë heshtazi dhe herë publikisht krijoi përshtypjen e një riformulimi total të politikave dhe qasjes së Perëndimit ndaj këtij vendi ballkanik. U ngritën dilema dhe pikëpyetje edhe për çështje krejtësisht parimore, si demokracia dhe të drejtat e njeriut, por edhe dilema se a ishte toleranca ndaj Vuçiq në interesin e Perëndimit.

Rritja dhe konsolidimi i autoritarizmit brenda në Serbi, qasja armiqësore dhe agresioni i hapur kundër Kosovës më 24 shtator, 2023 si dhe forcimi i lidhjeve me Rusinë treguan qartë se qasja tolerante apo “appeasement-i” i Perëndimit kishte dështuar në mënyrën më spektakulare të mundshme. Jo vetëm që nuk ishte arritur objektivi strategjik për ta tërhequr Serbinë nga ndikimi i Rusisë, por kjo qasje kishte inkurajuar presidentin Aleksandar Vuçiq të shtynte përpara idenë e Botës serbe, ku me agresionin paramilitar e terrorist kundër Kosovës sfidoi seriozisht paqen dhe stabilitetin rajonal.

Kërkohet ndryshim rrënjësor i qasjes së Perëndimit

Qasja tolerante e Perëndimit ka inkurajuar presidentin e Serbisë të çojë përpara idetë e tij për hegjemoni rajonale – duke nisur kështu implementimin e projektit të “botës serbe”. Meqë veprimet destruktive të Serbisë u toleruan nga shtetet e fuqishme perëndimore, kjo i dha mundësi presidentit Vuçiq të mendonte se kishte në tavolinë më shumë hapësirë manovrimi, duke llogaritur në opsionet e leverdishme të politikës së dyfishtë: bashkërendimit me diktatorin (Vladimir) Putin dhe raportet me Bashkimin Evropian dhe shtetet e tjera perëndimore.

Kurba e destruktivitetit të Aleksandar Vuçiq-it ka shënuar një ngritje të rrezikshme, dhe kjo ka prodhuar dhe situata krejtësisht të paparashikueshme, sidomos nga shkurti 2022. Toleranca e agresionit (appeasement) dhe qasjes armiqësore sistematike të Serbisë ndaj Kosovës, duke filluar nga toleranca e përkrahjes logjistike, financiare dhe politike të barrikadave në komunat veriore të Kosovës, pastaj financimit të hapur të dy organizatave terroriste “Brigada e Veriut” dhe “Mbrojtja Civile”, toleranca e gjuhës militariste dhe kërcënuese ndaj Kosovës, dhe së fundmi mos ndëshkimi i sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë duhet të konsiderohen si një gabim i madh në qasjen e Perëndimit ndaj Serbisë, dhe duhet të kërkohet një ndryshim rrënjësor dhe serioz i politikave dhe qasjes perëndimore në Ballkan.

Appeasement-i perëndimor ndaj Aleksandar Vuçiq ka rritur varësinë e Serbisë ndaj Rusisë, duke e shtyrë të blejë më shumë sisteme moderne armatimi; ka inkurajuar Serbinë drejt aventurave të rrezikshme duke ushtruar agresion të hapur paramilitar dhe terrorist kundër Kosovës, ka ashpërsuar gjuhën nacionaliste dhe kërcënuese kundër Bosnjë-Hercegovinës, si dhe ka forcuar autoritarizmin dhe ka dëmtuar demokracinë brenda Serbisë.

Edhe në rrafshin parimor edhe në atë strategjik dhe të interesit, Perëndimi duhet të vendosë në qendër të qasjes për Ballkanin, tani më demokratizimin e Serbisë, si zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme, që do të garantoj paqen dhe stabilitetin afatgjatë rajonal. Demokratizimi i brendshëm në Serbi do të mundësonte hapjen dhe konsolidimin e horizonteve të reja që do të fillonte me ardhjen në pushtet të një qeverisje me zgjedhje të lira dhe demokratike, do të pasonte me njohjen e Kosovës shtet i pavarur dhe sovran, heqjen dorë nga obstruksionet në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, dhe do të përmbyllej me integrimin në Bashkimin Evropian. Vetëm kjo do të ishte rruga natyrale për një paqe të qëndrueshme në Ballkan, por edhe në Evropë.

Rekomandimet politike

Perëndimi duhet të përdor politikën e ndihmës së kushtëzuar, duke sanksionuar vazhdimin e ndihmave financiare, proceseve integruese dhe raporteve të mira me Serbinë vetëm nën kushtet se kjo e fundit do të demokratizohet rrënjësisht dhe të ndryshojë qasjen ndaj fqinjëve.

Është vendimtare që të kushtëzohen këto tri procese, sepse janë fundamentale për pozitën dhe mirëqenien e vazhdueshme të Serbisë.

Në vitin 2022, në total Serbia ka pranuar rreth 1 miliard euro asistencë nga Bashkimi Evropian nga instrumente të ndryshme; 286 milionë euro nga Pre-Accession Assistance për projekte të zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit; rreth 720 milionë euro nga European Investment Bank në hua.

Në këmbim Serbia nuk ka ofruar as dëshmuar as reforma demokratike, as sundim të ligjit, përkundrazi, ka shënuar një përkeqësim në përfaqësimin demokratik, kurse në planin rajonal ka eksportuar dhunë dhe terror duke ushtruar agresion kundër Kosovës dhe obstruksione në Bosnjë-Hercegovinë

Perëndimi duhet t’ia bëjë me dije autokratit Vuçiq se ai nuk është partneri me të cilin mendohet bashkëpunimi në fazat e mëtejshme integruese, dhe kështu të krijohen kushtet dhe horizontet për lidership të ri politik në Serbi, nën kushtet e qarta të reformave të thella demokratike, sidomos zgjedhjeve të lira, heqjes së kontrollit ndaj mediave, sundimit të ligjit, si dhe me kushtin e qartë të njohjes përfundimtare të pavarësisë së Republikës së Kosovës, dhe anulimit të menjëhershëm të politikës dhe qasjes destruktive dhe obstruksioneve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Përfundime

Serbia ka provokuar se fundmi disa nga krizat më të rënda të sigurisë në rajonin e Ballkanit duke destabilizuar Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke shkaktuar dhe eksportuar terror, obstruksione dhe luftë speciale respektivisht.

Serbia ka përqafuar edhe zyrtarisht agjendën revizioniste duke mos njohur shtetet fqinje sovrane dhe duke besuar në ndryshimin e kufijve me përdorimin e forcës. Serbia është i vetmi vend në Evropë që ka në programin e saj shtetëror dhe në agjendën e saj politike shkatërrimin e një vendi fqinj – Kosovën. Asnjë vend tjetër në Evropë nuk ka ambicie të tilla destruktive e agresive, që pashmangshmërisht çojnë në luftëra.

Perëndimi, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet përfundimisht të ndryshojnë kursin politik karshi Serbisë; të ndërpritet menjëherë politika e appeasement, regjimi i Aleksandar Vuçiq-it duhet të denoncohet si i rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin rajonal, dhe rrjedhimisht të izolohet si lider luftënxitës, dhe mbështetës i Putin-it.

Vetëm një Serbi demokratike, me lidership legjitim, që njeh realitetin rajonal, pavarësinë e Kosovës dhe me qasje evropiane mund t’i shërbejë paqes së qëndrueshme, dhe mund të bëhet pjesë e planeve afatgjate për marrëveshje në kushte të barabarta me Kosovën.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024