Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.
Vendimi u mor disa muaj pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.Emërimi i pasardhësit të Lajçakut është lidhur tani në mënyrë direkte me procedurën për emërimin e udhëheqësve të rinj në institucionet e BE-së për mandatin e ardhshëm pesëvjeçar.
Në kuadër të paketës, për të cilën para dhjetë ditësh u pajtuan liderët e vendeve anëtare të BE-së në takimin e Këshillit Evropian, është edhe nominimi i kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas, në postin e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë.
Pasi Kallas do të ketë një rol të dyfishtë, atë të përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri, por edhe të zëvendëspresidentes së Komisionit Evropian, edhe ajo duhet të kalojë përmes procedurës së konfirmimit në Parlamentin Evropian.
Në rastin më të mirë, nëse Ursula von der Leyen më 18 korrik në seancën plenare të Parlamentit Evropian siguron shumicën e votave të deputetëve, dhe pastaj në vjeshtë konfirmohen të gjithë komisionarët, afati më i afërt kur Kaja Kallas do të marrë përsipër nga Josep Borrell udhëheqjen e diplomacisë së përbashkët të BE-së është 1 nëntori i këtij viti.
Për shkak të rrethanave në dialog, i cili nuk po prodhon rezultate në formën e pajtimit të palëve, diplomatët në Bruksel nuk presin që në muajt në vijim të ketë ndonjë kthesë në këtë proces. Lajçak dhe Borrel patën një përpjekje në fund të qershorit për të organizuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Por, ato përpjekje dështuan.
Edhe pse Kurti dhe Vuçiq shkuan në Bruksel duke iu përgjigjur ftesës së BE-së, takim të përbashkët mes tyre nuk pati.
Mungesën e takimeve në këtë nivel diplomatët e shohin si dëshmi se procesi nuk po shkon me dinamikën e dëshiruar.
Kaja Kallas, pasardhësja e Josep Borrellit, kur të marrë këtë post do të jetë edhe lehtësuese e dialogut në nivelin e lartë. Pra, ajo pritet t’i ftojë në takim liderët nga Kosova dhe Serbia kur takimet janë në nivelin e lartë dhe t’i udhëheqë ato takime.
“Qasja mund të ndryshojë. Por, nuk presim ndryshime të mëdha. Pasi dialogu nuk po shkon sipas pritjeve që kanë ekzistuar në BE, por ato që nuk do të ndryshojnë janë obligimet e Kosovës dhe Serbisë që kanë dalë deri më tash nga procesi i dialogut”, ka thënë një diplomat i BE-së.
Diplomatët në BE thonë se, kushdo që të lehtësojë dialogun në emër të Bashkimit Evropian, duhet të ndjekë mandatin dhe detyrat që i caktojnë vendet anëtare. E vendet anëtare janë të njëzëshme se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që kanë dalë nga marrëveshjet e arritura deri më tash në procesin e dialogut.
Kaja Kallas, kur të marrë detyrën, do të jetë përfaqësuesja e katërt me radhë e lartë e BE-së që do të lehtësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu kishte nisur në mandatin e Catherine Ashton, e cila ishte edhe përfaqësuesja e parë e lartë e BE-së prej kur ky post ishte krijuar me Traktatin e Lisbonës. Pastaj rolin e lehtësueses në nivel të lartë e kishte Federica Mogherini dhe pas saj Josep Borrell. Normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të shihet si një prej prioriteteve kryesore të BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, si dhe një prej sfidave kryesore për sigurimin e stabilitetit afatgjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor./REL/