Qytetarë të shumtë sot u mblodhën në qytetin e Gjakovës për të protestuar pas sulmit që ndodhi ndaj të moshuarës në Qendrën e përkujdesjes ndaj të moshuarve “Orenda”, në Pejë. Protestuesit kërkuan dënim maksimal për kryeset e kësaj vepre dhe po ashtu mbylljen e qendrës “Orenda”.
Krahas pankartave të shumta me mbishkrime: “Nënat e dëshmorëve janë nënat tona”, “E për atë pagë ti je pagu, me i rrah nënat dhe me i malltretu”,”Prindërit i kemi amanet, do apo s’do moj e shkretë” ishte vendosur në pemët e sheshit të Gjakovës edhe forografia e Aurona Pelaj e cila kishte sulmuar fizikisht të moshuarën.
Krahas shumë qytetarëve kësaj proteste iu bashkuan edhe vajza e së moshuarës, Zhaneta Nura-Vala bashkë me vëllain e saj Milotin i cili kishte ardhur tashmë nga Belgjika.
Vajza e së moshuarës u shpreh se kishte parë disa lëndime për të cilat kishte menduar se i janë shkaktuar nga pakujdesia e saj.
Nura kërkoi dënim maksimal ndaj personave që akuzohen për këtë sulm.
“Lëndime unë nuk kam parë, kam parë disa shenja të vogla por gjithmonë duke menduar se plakë është dhe mund të lëndohet pak dhe me sëmundjen që e ka mendoja qe u lëndua pa qëllim se me më shku mendja që ka dhunë aty jo sepse staf profesional sipas atyre, i licencuar, profesional me standarde evropiane, zvicerane me staf të madh, rezidencë të madhe dhe të gjitha kushtet. Nuk e kam menduar që ka dhunë brenda. Kam parë sene të vogla që kur kam pyet, pastaj nuk mu paraqitshin nëpër telefona…unë lus krejt shtetin organet, Evropa se ajo ka marr edhe përmasa evropiane që të dënuarit me meritu por në të njëjtën kohë edhe të tjerët me u vetëdijësu se ka me ardh koha për të gjithë… kërkoj drejtësi, gjithqysh kërkoj drejtësi maksimale”, tha ajo.
“Mama është mirë na ka neve afër, familjen që e ka pas gjithmonë. Ne kemi shkuar 1-2-3 herë në javë, sa kam pas kohë nga puna kam ik kam shkuar. Për problemin që ka ndoshta e vuan në ndërdije, por nuk po di me shpreh me tregu, është e dashur dhe e qetë”, tha ajo.
Nura tha se vazhdon të kërkoj që Qendra “Orenda” të mbyllet, kurse deklarat e së akuzuarës, Aurona Pelaj e cila kishte deklaruar se e kishe bërë aktin për vetëmbrojtje, ajo tha se kjo nuk është arsyetim.
Kryetarja e Shoqatës “Krimet e Luftës Gjakova ’98-99”, Shkendije Hoda u shpreh se nuk e kanë pritur që vajzat shqiptare të ushtrojnë dhunë fizike ndaj një nëne, e aq më pak që është nënë e dëshmorit.
“Para këtij akti jemi pothuajse të dorëzuar sepse ne nuk e kemi pritur që motrat tona shqiptare ta përdorin një dhunë një abuzim fizik ndaj një nëne posaçërisht nga një nëne dëshmori”, theksoi ajo.
“Nëna heroinë e cila u rrah brutalisht nga femrat e papërgjegjshme të cilat e kanë kërkuar atë punë dhe të kujdesen për të moshuarit dhe më bë në atë ditë sikur të ishin kriminele ato nuk e di si kanë mund të gjuajnë në një njeri të sëmurë… jo veç pse është nënë heroinë por nënë e të gjithëve dhe kemi kërkuar ta mbrojmë dhe ti jepet dënimi maksimal. Kërkojmë nga qeveria ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu prej çdo prokurori e avokati e deri tek më i vogli dënim maksimal, këto të mos mbrohen”, tha ajo.
Tashmë ndaj të tri infermiereve që dyshohen për sulm dhe bashkëkryerje të veprës Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
70 vjeçarja tani është marrë nën mbikqyrje nga familjarët e saj.
Kurse, gjatë ditës së djeshme e moshuara iu ka nënshtruar edhe kontrolleve specialistike në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.