"Nuk lejojmë kthim prapa", Fronti Evropian miraton deklaratë politike
Lexohet për: 4 min.
image00003
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetarët e partive politike në kuadër të Frontit Evropian sot në Tetovë kanë nënshkruar deklaratën politike mbi legjitimitetin etnik zgjedhor, e cila do t’i dërgohet të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. 

Deklarata politike vjen pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 8 majit në Maqedoninë e Veriut, të cilat sipas Frontit Evropian e “vënë në pikëpyetje frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe për pasojë janë rikthim në politikën e njohur përçaj e sundo.”   

“Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa,” thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Marrëveshja Paqësore e Ohrit, e firmosur nga të gjitha forcat politike relevante në vend, e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në parimet themelore thekson që:  

“Një shtet modern demokratik, në rrjedhën e vet të natyrshme të zhvillimit dhe maturimit, duhet vazhdimisht të sigurojë që Kushtetuta e vet të plotësojë tërësisht nevojat e të gjithë qytetarëve të vet dhe të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare, si dhe vetë të mbindërtohet vazhdimisht.”   

Prandaj, ne, të poshtënënshkruarit: 

Ritheksojmë kursin tonë euro-atlantik si alternativë e vetme për të ardhmen e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë për zbatim të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura me fqinjët si parakusht për të vijuar rrugën evropiane, konstatojmë pa tjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përsërisim që partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vendin tonë që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje.

Prandaj, demokracia në vendin tonë mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera.   

Demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombësve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, pa tjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari.  

Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.  

Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimitetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkërisht.   

Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit, sepse të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqen, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025