Ka dështuar mocioni procedural i opozitës për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike. Vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të këtij komisioni të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Opozita e ka quajtur mohim të së drejtës kushtetuese, ku më pas e ka lëshuar sallën.
Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë dhe të bëhet pjesë e rendit të ditës së seancës së sotme.
Partitë opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit për shkak se Lëvizja Vetëvendosje nuk votoi që formimi i komisionit të bëhet pjesë e rendit të ditës. Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se opozitës i është mohuar e drejta kushtetuese.
“Meqenëse opozitës iu mohua një e drejtë kushtetuese që është mbikëqyrja parlamentare e punës së institucioneve, grupi parlamentar i LDK-së deri në formimin e komisionit hetimor parlamentar nuk do të marrë pjesë në asnjë votim. Ne e lëshojmë seancën”, ka thënë Gashi.
“Në këtë legjislaturë ishte hera e parë që propozohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar, hedhja dritë e çfarëdo keqpërdorimi nuk besoj që do të duhej t’i pengojë askujt. Sot mendoj që u bë një veprim jashtëzakonisht i dëmshëm nga mazhoranca, të dëmtojë frymën tonë parlamentare… Si grup parlamentar i PDK-së, siç e thash më herët, nuk do të marrim pjesë në votime të mëtutjeshme, nuk do të marrim pjesë as në seancë më tutje sepse nuk ka kurrfarë kuptimi, përderisa ju abuzoni me një të drejtë tonën parlamentare, nuk ka kurrfarë kuptimi qëndrimi ynë në këtë seancë”, ka thënë Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri e ka quajtur gabim të pafalshëm, mocionin për të formalizuar kërkesën e deputetëve opozitarë për formimin e komisionit hetimor.