Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani ka shkruar se Kosova ka mbetur jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave.
Hasani u shpreh pas takimit se, mosshqyrtimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim sot është një mundësi e humbur.Hasani theksoi se, Kosova duhet të vijojë punën për përmbushjen e zotimeve të ndërmarra.
“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike. Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, u shpreh Hasani.
“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur çka i kemi borxh popullit të Kosovës”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Hasani theksoi më tej se, 75-vjetori i KiE është simbol i përpjekjeve të evropianëve për të ndërtuar një hapësirë të përbashkët.