Njësia Policore Detare është struktura më e re e sapokrijuar në interes të rritjes së sigurisë për pushuesit vendas dhe të huaj në zonat bregdetare, si edhe krijimit të kushteve sa më të përshtatshme dhe të sigurta të pushuesve në hapësirën ujore për notim dhe argëtim.
Njësia do t’i shërbejë edhe monitorimit të të gjithë mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit, që përdorin hapësirën ujore Shqiptare gjatë sezonit turistik veror.
Njësia Policore Detare përbëhet nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare & Migracionit dhe Policia e Rendit, e trajnuar dhe e certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare në bashkëpunim me Departamentin e Kufirit & Migracionit.
Kryeministri Edi Rama ka thënë se sezoni i shkuar turistik veror, i cili ishte në të gjitha aspektet sezoni më i suksesshëm për turizmin në Shqipëri, u përgjak dhe u njollos rëndë nga një ngjarje, e cila revoltoi të madh e të vogël dhe hidhëroi gjithë Shqipërinë, pasi një ngjarje e provokuar nga një pjesëtar i padenjë, një shëmbëlltyrë e së keqes në komunitetin e forcave të Policisë.
Rama theksoi se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, së bashku me Ministrinë e Brendshme kanë përgatitur edhe gjithë hartën e lëvizjeve, të ndalesave dhe të mundësive për veprim të mjeteve lundruese të të gjithë kalibrave sepse problemet lindin që nga ata motoskafët e shpejtë deri tek motorët e ujit të individëve që e kthejnë plazhin në një skenë shfaqjesh të rrezikshme dhe kjo hartë patjetër që duhet të bëhet e gjithë puna që të jetë sa më e lexuar dhe sa më e kuptuar nga të gjithë ata që frekuentojnë bregdetin.