Një vaksinë e vetme në formë spërkatjeje nazale mund të mbrojë kundër të gjitha kollave, ftohjeve dhe gripit, si edhe kundër infeksioneve bakteriale të mushkërive, madje mund të ndihmojë edhe në lehtësimin e alergjive, sipas BBC.
Një ekipi studiuesish në “Stanford University” e ka testuar të ashtuquajturën “vaksinë universale” tek kafshët dhe ende nevojiten prova klinike tek njerëzit.
Ndryshe nga vaksinat tradicionale që trajnojnë sistemin imunitar kundër një infeksioni të vetëm si vaksina kundër fruthit apo lisë së dhenve, kjo metodë synon të imitojë mënyrën se si komunikojnë qelizat imunitare mes tyre.
Vaksina jepet përmes hundës dhe lë disa qeliza të bardha të gjakut në mushkëri, të quajtura makrofagë, në gjendje gatishmërie të lartë për të reaguar ndaj çdo infeksioni që tenton të hyjë në organizëm.
Sipas profesorit Bali Pulendran nga “Stanford University”, vaksina ofron mbrojtje të gjerë jo vetëm kundër virusit të gripit apo Covid-19, por kundër pothuajse të gjithë viruseve dhe disa baktereve të testuara, si Staphylococcus aureus dhe Acinetobacter baumannii.
Ai thekson se parimi mbi të cilin funksionon kjo vaksinë është thelbësisht i ndryshëm nga ai i vaksinave tradicionale.
Profesoresha Daniela Ferreira e cilësoi kërkimin “shumë emocionues”, duke shtuar se, nëse konfirmohet tek njerëzit, mund të ndryshojë mënyrën si mbrohemi nga infeksionet e zakonshme të rrugëve të frymëmarrjes.
Megjithatë, mbeten shumë pikëpyetje. Nuk dihet nëse i njëjti efekt do të arrihet tek njerëzit apo sa gjatë do të qëndrojë sistemi imunitar në gjendje gatishmërie, transmeton ATSh.