Qytetarja Aulona Memeti ka ngritur shqetësime të shumta për kushtet në Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet djali i saj dyvjeçar, duke pretenduar se është përballur me mungesë të kushteve bazike, probleme në organizimin e repartit dhe, më pas, edhe me presion pas publikimit të reagimit të saj në rrjetet sociale.
Në një reagim të gjatë me disa fotografi, Memeti tha se djali i saj u shtrua në Pediatri pas disa ditësh me të vjella dhe diarre. Ajo përshkroi pritje për pranimin në repart, vështirësi gjatë vendosjes së kanilës, si dhe mungesë të dhomave të përshtatshme për izolimin e pacientëve.
Memeti kritikoi edhe kushtet fizike në repart, duke pretenduar se shtrati kishte njolla, se nuk kishte çarçafë të pastër, sapun apo mjete të tjera bazike higjienike, ndërsa tualetet nuk ofronin privatësi elementare.
Sipas saj, mbrëmjen e së dielës, rreth orës 23:30, është vizituar në dhomën ku po qëndronte me djalin dhe i është kërkuar të verifikojë ato që kishte shkruar. Ajo tha se një vizitë e dytë ka ndodhur të hënën rreth orës 10:30, kur, sipas saj, i është thënë se pretendimet e saj janë të pasakta dhe i është kërkuar të hartojë një raport për rastin deri në orën 11:00.
Memeti deklaroi se nuk refuzon ta ndjekë rrugën institucionale për paraqitjen e ankesës, por theksoi se prioriteti i saj aktual mbetet trajtimi i djalit.
Drejtoresha e Klinikës Padiatrike, Alije Syla nuk ka pranuar të flas për KosovaPress lidhur me reagimin e qytetares Aulona Memeti. Drejtoresha ka thënë se Zyra për media do të njoftoj me kohë për reagimin e qytetares në fjalë. Ndërkohë, as nga Zyra për Media nuk janë përgjigjur për ankesën e Aulonë Memeti.