Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një të dyshuari për dhunimin e një vajze të mitur në Suharekë.
Xh.B. dyshohet se në nëntor/dhjetor të vitit të kaluar ka kryer marrëdhënie me një vajzë nën moshën 16-vjeçare.
“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krime të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 21.03.2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 20.04.2023 ndaj të pandehurit Xh.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhunimi. Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri XH.B., gjatë muajit Nëntor/Dhjetor të vitit 2022, në Komunën e Suharekës, me dashje e detyron viktimën nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjet për të kryer aktin seksual, për të cilin e di se është i ndjeshëm për shkak të moshës”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Në komunikatë më tej theksohet se a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjykata ka ardhur në përfundim se ekzistojnë arsye për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, pasi që i dëmtuari është nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjeçare, dhe i pandehuri dyshohet se duke e kanosur kryer veprën penale të dhunimit, nga këto rrethana dhe pesha e veprës penale, është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.