Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muajit të pandehurit D.Zh., i cili akuzohet për “vrasje të rëndë”.
I pandehuri D.Zh dyshohet se me 31 korrik të këtij viti rreth orës 21:15 min, në fshatin Gushtericë e Poshtme, Komuna e Graçanicës, përkatësisht në shtëpinë e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes bashkëshorten e tij, përkatësisht tani të ndjerën M.ZH.
Gjykata vlerësoi se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti, se nëse i pandehuri D.ZH gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, i njëjti mund të arratiset dhe mund të largohet nga vendi, kjo për faktin se për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston rreziku i asgjësimit apo ndryshimit të provave si dhe ndikimi në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.