Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën një muaj paraburgim ndaj të pandehurit S.M., për kryerjen e veprave penale bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese, rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi dhe veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, veçanërisht rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, pasojat nga të cilat janë lënduar shumë pjesëtarë të KFOR-it, zyrtarë policorë, gazetarë e qytetarë të tjerë, si dhe dëmet materiale të shumta nga djegia dhe dëmtimi fizik, tregon mjaftueshëm se i pandehuri nëse lihet që të mbrohet në liri do të tentojë të ndryshojë provat e veprës penale, duke ndikuar në të dyshuarit e tjerë, të cilët gjenden të lirë si dhe dëshmitarët tjerë eventualë.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.