Sot në Bajram Curr të Shqipërisë është zbuluar shtatorja e heroit të kombit Tahir Sinani, në Ditën e Dëshmorëve. Në ceremoninë e përurimit të kësaj shtatoreje mori pjesë edhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se Malësia e Gjakovës si vatër e atdhedashurisë rriti luftëtarë trima. "Malësia e Gjakovës, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, përgjatë shekujve rriti luftëtarë trima e sypatrembur, siç ishte bashkëluftëtari im, heroi i kombit Tahir Sinani nga Tropoja. Tahiri i takon brezit të patriotëve shqiptarë të lëvizjeve për liri, brezit të luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë që të jetojë i lirë shqiptari. Me heroizmin e tij në luftërat çlirimtare, nderoi jo vetëm Tropojën por mbarë kombin shqiptar", ka thënë Haradinaj. Haradinaj tha se Tahir Sinani po përjetësohet në bronz në Ditën e Dëshmorëve dhe se angazhimi i tij jetësor në shërbim të kombit shqiptar do të kujtohet e nderohet përgjithmonë.
Tahir Sinani, oficeri i njohur i Ushtrisë së Shqipërisë, më vonë komandant në tri luftërat tona çlirimtare, u lind më 25 maj 1964 në Gri të Tropojës. Për merita dhe kontributin e madh në betejat për çlirimin e trojeve shqiptare u gradua, dekorua dhe u shpërblye nga shumë shoqata e institucione shtetërore e ushtarake.