Sipas shkencës, planetin tonë e pret një e ardhme pa akullnaja, pasi dy nga tre mund të zhduken deri në vitin 2100 për shkak të ndryshimeve klimatike: ky është skenari më i keq i parashikuar nga studimi i publikuar në revistën Science dhe i udhëhequr nga Universiteti Carnegie Mellon i SHBA.
Studimet tregojnë se akullnajat më të kërcënuara janë më të voglat, ato me madhësi më të vogël se 1 kilometër katror dhe gjenden në Evropën Qendrore, duke përfshirë Alpet, Kanadanë perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.
Shkalla e shkrirjes së akullnajave, vëzhgojnë studiuesit e udhëhequr nga David Rounce, janë rritur në mënyrë të vazhdueshme në dekadat e fundit dhe këto procese do të ndikojnë thellësisht, ndër të tjera, në rritjen e nivelit të detit dhe disponueshmërinë e ujit të freskët për miliarda njerëz.
Prandaj, aftësia për të parashikuar humbjen e masës së akullnajave sa më saktë që të jetë e mundur është thelbësore për të kuptuar se si do të ndryshojë mjedisi dhe për të udhëhequr përpjekjet e ardhshme globale për përshtatjen dhe zbutjen e klimës.
Për të përmirësuar parashikimet ekzistuese, zakonisht të kufizuara në zona të ngushta gjeografike, studiuesit shfrytëzuan një sasi të paparë të dhënash që mbulonin të gjitha akullnajat e globit (përveç atyre të Grenlandës dhe Antarktidës), duke i përpunuar ato falë superkompjuterëve.
Rezultatet tregojnë se akullnajat do të humbasin midis 26% dhe 41% të masës së tyre deri në fund të shekullit, në varësi të një rritjeje të temperaturës midis 1.5 dhe 4 gradë. Kjo do të thotë se, në rastin më të mirë, rreth 50% e akullnajave do të zhduken, ndërsa në rastin më të keq, 80% do të humbasin, rreth dy nga tre.
Kjo, nga ana tjetër, do të rezultojë në një kontribut shumë më të madh në rritjen e nivelit të detit sesa pritej, me ndikime të mëdha në furnizimin me ujë, turizmin dhe kulturën lokale. /atsh