Në kryeqytet sot kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës “Jim Xhema” e njohur si rruga A. Punimet e kësaj rruge në segmentin e parë 1.5 kilometra pritet të përfundojnë brenda 240 ditëve, ndërsa asfaltimi i kësaj rruge pritet të lehtësoj trafikun e ngarkuar në Prishtinë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se rruga A është një projekt madhor për kryeqytetin.
Ai tha se rruga “Jim Xhema” do ta shkarkojë dukshëm ngarkesën e trafikut në kryeqytet.
“Është një projekt madhor i kryeqytetit, kemi 1.5 kilometrat e parë ku do të fillojmë nga të dyja anët edhe nga ana e Kalabrisë, edhe nga ana e Prishtinës së Re në të dyja anët në të njëjtë kohë që dinamike të jetë e shtuar. Në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe projektin e shpimit të Veternikut, në mënyrë që të lidhet edhe Prishtina e Re me Kalabrinë. Kjo fazë e parë 1.5 km përveç që trajton rrugën, trajton edhe kanalizimet... Po them do të ndihmoj që Prishtina të frymoj më lehtë, Prishtina po frymon më lehtë si rezultat i kaosit që ka ndodhur që nuk kemi pas boll rrugë dhe tash rrugët po i krijojmë...”, u shpreh ai.
Zotimin se punimet në rrugën “Jim Xhema” do të përfundojnë brenda afatit të paraparë, është shprehur edhe pronari i kompanisë kontraktuese për këtë projekt “Sallahu”, Lulzim Sllahu.
Nisjen e punimeve të kësaj rruge e kanë mirëpritur edhe banorët e zonës.
I gëzuar se tashmë ka nisur asfaltimi i rrugës “Jim Xhema” është shprehur edhe Agim Kosumi i cili tha se ndonëse vite më parë ishte folur për ndërtimin e kësaj rruge tek sot filluan punimet.
Në këtë ceremoni të nisjes së punimeve i pranishëm ishte edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. /B.Ibishi/