Në një ceremoni madhështore, me prezencën e shumë studiuesve nga pesë kontinente të botës, në Qytetin e Mençur të UBT-së, ka nisur punimet në edicionin e 12-të të saj konferenca më e madhe në Kosovë për biznes, teknologji dhe inovacion, Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së.
Në kuadër të hapjes së kësaj konference, u bë edhe hapja e Konferencës për Lidership në të cilën ishin të pranishëm rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, profesori nga Universiteti i Harvardit, Hugh O’Doherty, si dhe profesorë dhe studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Jam i nderuar t’ju mirëpres në Konferencën e UBT-së me fokus në reziliencë, inovacion dhe qëndrueshmëri. Objektivi kryesor është të krijojmë një mjedis me qasje ndërdisiplinore. Falënderoj të gjithë ata që e kanë bërë më madhështore këtë hapje të kësaj konference me praninë e tyre, përfshirë stafin akademik, partnerët universitarë nga pesë kontinente dhe qeverinë. Do të reflektojmë bashkë në 25 nënkonferenca dhe do të ndërveprojmë duke promovuar publikime të ndryshme”, ka thënë rektori Hajrizi.
Rektori Hajrizi tha se këtë vit është integruar po ashtu dhe një konferencë tjetër, ajo për lidership, duke kompletuar kështu kornizën e fushave dhe temave që ndërlidhen me inovacionin, lidershipin, biznesin dhe qëndrueshmërinë, duke krijuar një ekosistem për të cilën UBT angazhohet të zhvillojë dhe prezantojë.
Kryeministri Kurti potencoi se Qeveria aktuale po krijon rrugë për liderët e së ardhmes.
“Të gjitha investimet dhe nismat janë vetëm një shembull i gjithë asaj çfarë ne po bëjmë sot për të prodhuar liderë të së nesërmes. Por, ky është vetëm fillimi, me përpjekjet tona të vazhdueshme dhe me përmirësim në fusha të ndryshme, jam i bindur se ditët më të mira dhe liderët më të mirë të Kosovës qëndrojnë para saj”, deklaroi Kurti.
“Lidershipi ka të bëjë me llojin e sfidave që përballemi. Dua të bëj një dallim mes problemeve teknike dhe atyre të adaptueshme. Ndërsa, një pikë tjetër e rëndësishme është që lidershipi dhe autoriteti nuk janë të njëjtë, dhe ndonjëherë koncepti i udhëheqjes ngatërrohet me autoritetin. Gjithashtu, është e rrezikshme të udhëheqësh, veçanërisht nga një pozicion i autoritetit. Përfundimisht, lidershipi është i pavlefshme pa një qëllim të qartë”, ka thënë profesori Hugh O’Doherty.
Mbi 25 nënkonferenca do të karakterizojnë edicioni i 12-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së, teksa Konferenca për Lidership do të ketë sesione dhe panele të ndryshme me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.