Nisi zyrtarisht fushata zgjedhore, KQZ: Zgjat deri në orën 7:00 të 7 qershorit
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Nisi zyrtarisht fushata zgjedhore, KQZ: Zgjat deri në orën 7:00 të 7 qershorit
Filloi zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se gjatë 10 ditëve të muajit qershor 21 subjekte politike do të zhvillojnë aktivitetet e tyre zgjedhore në të gjithë vendin.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, fushata zgjedhore përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve.
“Për 10 ditë të qershorit në vazhdim, 21 subjektet politike, me gjithsej 902 kandidatë për deputetë, do të mund të zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më datë 7 qershor. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin 2023, fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e tyre përfundon me hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, pra në orën 7:00 të mëngjesit të datës 7 qershor. Pra, ashtu si në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale, dita e shtunë nuk është heshtje zgjedhore”, tha ai.
Elezi sqaroi se KQZ-ja ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve të fushatës zgjedhore, pastaj fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese gjatë kësaj periudhe.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i trajton ankesat lidhur me shkeljet eventuale gjatë procesit të zgjedhjeve, pasi kjo është detyrë e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, një institucion, pra, në të cilin do të mund të paraqiten ankesat gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore. Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rol në monitorimin e organizimit të takimeve të fushatës zgjedhore, pastaj fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese gjatë kësaj periudhe. Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar monitorues në çdo komunë të Republikës së Kosovës për të përcjellë nga afër aktivitetet e ndryshme të subjekteve politike. Roli i këtyre monitoruesve do të jetë përgatitja e raporteve lidhur me këto takime dhe të njëjtat do të mund të shërbejnë. Pra këto raporte do të mund të shërbejnë për të bërë krahasime me të dhënat të cilat i deklarojnë partitë apo subjektet politike në raportin financiar të fushatës zgjedhore, të cilin janë të obliguar që ta dorëzojnë pas zgjedhjeve në KQZ”, tha ai
.
Me nisjen zyrtare të fushatës zgjedhore, subjektet politike hyjnë në një periudhë të prezantimit të programeve dhe kandidatëve të tyre para qytetarëve.
Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen më 7 qershor.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.