Nisi Prishtina Gastronomy Festival, pesë ditë me gastronomi, muzikë dhe aktivitete në kryeqytet
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Nisi Prishtina Gastronomy Festival, pesë ditë me gastronomi, muzikë dhe aktivitete në kryeqytet
gastronomia1234
15/07/2026 - 21:28
Linku u kopjua

Nisi edicioni i sivjetmë i Prishtina Gastronomy Festival, i cili do të mbahet nga 15 deri më 19 korrik në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Me moton “Bukë e kripë e zemërbardhë”, festivali sjell një program të pasur me gastronomi, muzikë dhe aktivitete  për të gjitha moshat.

Organizatoja e festivalit Arta Pllana   tha se festivali është konceptuar si një ngjarje për të gjitha grupmoshat, ndërsa këtë vit, përveç kuzhinës tradicionale kosovare, vizitorët do të kenë mundësi të njihen edhe me kuzhina ndërkombëtare.

“Festivali i gastronomisë është një festival për tri gjenerata, pa dallim moshe e gjinie. Ky është edicioni i pestë dhe kemi një program të pasur kulinar e artistik. Ka shumë biznese pjesëmarrëse, ndërsa vlen të theksohet pjesa ‘Taste of Kosova’, ku po promovohen biznese të vogla dhe të reja. Ky festival ka ndikim të madh në promovimin e traditës dhe kulturës së ushqimit, por edhe të kuzhinave të huaja. Sivjet kemi kuzhinën italiane dhe japoneze, ndërsa çdo vit e ndryshojmë konceptin që qytetarët të njihen me kultura të ndryshme gastronomike”, tha organizatorja e festivalit.

Sipas saj, programi i ditës së parë përfshin demonstrime gatimi nga kuzhinierë të njohur, përgatitje të ëmbëlsirave dhe performanca muzikore, ndërsa festivali synon të mbështesë edhe promovimin e bizneseve të reja vendore.

Autorja e librave të ushqimit, Zana Çerkezi, po merr pjesë për herë të parë në Prishtina Gastronomy Festival, ku po prezanton linjën e saj të sosave të djegës të prodhuar me speca vendorë të Kosovës.

Ajo tha se në festival ka sjellë katër produkte, përfshirë sosat “Zjarr Sos”, “Katili”, “Kokolla” dhe mjaltin pikant “Finci”, duke theksuar se festivali është një mundësi e mirë për promovimin e prodhimeve vendore.

“Shumë i rëndësishëm. Marketing i madh. Është hera e parë që po marr pjesë me një program kështu. Jam shumë falënderuese prej Meridianit edhe Sparit për përfaqësimin që e kam bërë. Po shoh kompani shumë të mëdha dhe me qenë pjesë e tyre është shumë mirë për mua. Deri tash të gjithë janë të kënaqur me produktet, sidomos ‘Kokollën’ e duan shumë. Mendoj që vizitorët duhet me ia ditë vlerën produkteve që i kemi në Kosovë. Një sos i djegës nuk është veç Sriracha apo Tabasco, por e kemi edhe të specave të Kosovës”, tha Çerkezi.

Meridian Kitchen prezanton produkte të reja në Prishtina Gastronomy Festival

Në kuadër të Prishtina Gastronomy Festival, një nga bizneset pjesëmarrëse është edhe Meridian Kitchen, i cili para vizitorëve ka prezantuar një ofertë të gjerë ushqimesh, përfshirë edhe produkte të reja. Kuzhinieri i Meridian Kitchen, Mentor Ramabaja, tha se sivjet në festival kanë sjellë chicken fingers, chicken strips, onion rings, patate, si dhe focaccia pizza, krahas picave tradicionale.

 “Për festival kemi vendosur këtë vit me bë chicken fingers, onion rings, patate, chicken strips. E kemi edhe focaccia pizzën që e kemi vendosur sivjet me e prezantu. Kemi edhe picën normale dhe produktet e pulës. Chicken fingers dhe pulat janë ndër produktet që na ecin më së shumti, ndërsa edhe picat janë ekstra të kërkuara”, tha Abaja.

Ai bëri të ditur se kjo është hera e katërt që Meridian Kitchen merr pjesë në Prishtina Gastronomy Festival, duke vlerësuar se ngjarje të tilla janë të rëndësishme për promovimin e bizneseve dhe për afrimin me konsumatorët. Sipas tij, interesimi i qytetarëve ka qenë i madh që në ditën e parë të festivalit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026