Nis ndërtimi i kompleksit të tenisit në Shtime, kostoja 200 mijë euro
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Nis ndërtimi i kompleksit të tenisit në Shtime, kostoja 200 mijë euro
shtime-foto
08/04/2026 - 15:15
Linku u kopjua

Në një ceremoni zyrtare, në prani të përfaqësuesve institucionalë dhe sportivë, është inauguruar fillimi i punimeve për ndërtimin e një kompleksi modern të fushës së tenisit në Komunën e Shtimes. Ky projekt, me vlerë rreth 200 mijë euro, synon të krijojë kushte më të mira për zhvillimin e sportit dhe promovimin e një jete të shëndetshme për qytetarët.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i pranishëm në këtë ngjarje, theksoi rëndësinë e këtij investimi përtej aspektit financiar. Ai vlerësoi bashkëpunimin me komunën dhe përkushtimin për të ndërtuar infrastrukturë sportive që do t’i shërbejë të rinjve dhe komunitetit në përgjithësi.

“Po perurojmë, po inaugurojmë fillimin e punimeve për këtë kompleks të dy fushave të tenisit, vlera rreth 200 mijë euro por rëndësia shumë më e madhe se sa që tregon vlera. Ky projekt, këto punë dhe këto ide tregojnë përkushtimin e ministrisë sonë që, bashkë me komunën, të krijojmë kushte dhe infrastrukturë për potencialin e madh të rinisë sonë, por edhe për publikun, në mënyrë që të kenë mundësi për një jetë të shëndetshme. Gjithashtu, synojmë të zbulojmë talentet e reja që do të shkëlqejnë në këtë fushë”, u shpreh Gashani.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës, Qemajl Aliu, theksoi se ky projekt është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë dhe Komunës së Shtimes, si dhe një ide e inicuar nga Federata e Tenisit.

Ai veçoi edhe talentin e ri lokal, Anisa Ismajli, e cila tashmë po arrin suksese në tenis në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Sipas tij, këto fusha do të jenë në shërbim jo vetëm të saj, por edhe të gjithë të rinjve dhe sportdashësve të këtij sporti.

“Këto dy terrene sportive do të jenë në shërbim të Anisës, por edhe të çdo talenti dhe të apasionuari pas sportit të tenisit. Falënderojmë ministrin Gashani që është sot prezent, bashkë me kryetarin e federatës. Gjatë këtyre katër viteve kemi parë punë të mira që i kemi realizuar së bashku me Komunën e Shtimes dhe Ministrinë e Sportit dhe Rinisë”, deklaroi Aliu.

Sipas autoriteteve, punimet pritet të përfundojnë brenda këtij viti, ndërsa kompleksi do të jetë funksional për sportistët dhe qytetarët nga fundi i vjeshtës.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026