Me lule në duar, e fytyra të buzëqeshura presin të njoftohen me mësuesit e tyre. Të gatshëm për fillimin e një kapitulli të ri, oborri i shkollës e rruga përreth janë dëshmitarë të emocioneve të prindërve e fëmijëve. Në fillim të këtij viti të ri shkollor, shkolla "Model-Qamil Batalli" ka filluar implementimin e mësimit tërë-ditor. Nxënësit e klasave të para do të nisin mësimin nga ora 07:45 deri në orën 14:30. Klasat e treta dhe të katërta deri në orën 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00.
Hazbije Gashi, e cila është nënë e dy fëmijëve që sot filluan klasën e parë ka mirëpritur këtë vendim të Komunë së Prishtinës.
Shkolla "Model-Qamil Batalli" është një nga pesë shkollat që do të implementojë mësimin tërë-ditor në kryeqytet.
Drejtori i kësaj shkolle, Liridon Maliqi thotë se janë përgatitur dhe janë të gatshëm që të organizojnë në këtë formë mësimin.
“Klasat e para sipas kërkesës së prindërve dhe psikologëve të konsultuar nga komuna natyrisht që prej orës 07:45 do të qëndrojnë deri në orën 14:30, përkatësisht 14:40 pasdite. Klasat e treta dhe të katërta deri pas orës 15:20, ndërkaq klasat e pesta deri në orën 16:00. Kështu do të organizohet dita me ndërrimin e paradites, ku do të ketë orë kurikulare dhe të pasdites me orë ekstra kurikulare dhe aktivitete të cilat forcojnë shkathtësitë e fëmijëve, afinitetet, mangësitë të cilët mund t’i kenë”, shprehet Maliqi.
Drejtori i shkollës "Model-Qamil Batalli" tregon se si do të vijojë dita për pesë gjeneratat që do të mbajnë mësimin tërë-ditor.
Nga klasa përgatitore e deri në klasën e pestë, kjo shkollën numër mbi 840 nxënës. Ndërkaq, mësimi për klasat nga e gjashta deri në të nëntën do të vijojë në shkollën “Emin Duraku”.
Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu ka njoftuar se sot mësimi tërë-ditor ka filluar vetëm në dy shkollat, në “Shkolla e Gjelbër” dhe shkolla “Model-Qamil Batalli”, ndërsa më 30.09.2024 do të vijojë në shkollën “Faik Konica”, “Xhemail Mustafa” dhe “Nazim Gafurri” në Prishtinë.