Në hapësirën rreth Obeliskut të Dëshmorëve të Kombit, në Kazermën "Adem Jashari", në Prishtinë, sot filloi mbjellja e fidaneve në simbolikë të të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit -luftëtarë të UÇK-së.
Në aktin e mbjelljes së fidaneve të para, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, oficerë dhe zyrtarë të lartë të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe numër i madh i ushtarakëve dhe nxënës e nxënëse të shkollave të mesme të vendit.
Në postimin e tij, ministri Mehaj, njëherit ideator i këtij projekti, thotë, si në vijim: "SAKRIFICA E DËSHMORËVE, GURTHEMELI I SHTETIT RINIA, FORCA E PANDALSHME E ZHVILLIMIT”.
Të rinjtë janë pasuria e këtij vendi, janë e tashmja për të cilën duhet të jetohet dhe e ardhmja për të cilën duhet të punohet.
Për nder të sakrificës së tyre sot, bashkë me nxënësit e shkollave të mesme nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe pjesëtarët e FSK-së, mbollëm fidane brenda kazermës "Adem Jashari", nga një për secilin dëshmorë, si simbolikë të jetës së tyre, gjallërisë së veprës që lanë pas e që vazhdon të jetoj në memorien kolektive të popullit tonë, sakrificën e të cilëve asnjëherë nuk do e harrojmë.
Të rinjtë të cilët na u bashkuan në këtë aktivitet ia shtuan edhe më tepër vlerën organizimit, ngase rinia është energjia e pashtershme, përshpejtuesi i zhvillimit dhe forca e pandalshme e popullit tonë.
Atdheu do të jetë çdoherë frymëzimi ynë, ushtria, vendi i hapur për formësimin e të rinjve, të gjithë atyre që duan.