Nis epoka e Silvinhos te Shqipëria, takon trajnerët e të gjitha grupmoshave
Lexohet për: 2 min.
silvinho
2 vite më parë
Linku u kopjua

Trajneri i ri i Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo, ka nisur menjëherë punën pasi mori zyrtarisht detyrën të hënën. Braziliani së bashku me dy ndihmës-trajnerët e tij, Pablo Zabaleta dhe Dorival Guidoni Junior kanë zhvilluar një takim me të gjithë trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave, për djem dhe vajza.

Në këtë takim ishin të pranishëm trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, trajneri i Kombëtares U-19, Armando Cungu, trajneri i Kombëtares U-18, Ardi Behari, trajneri i Kombëtares U-17, Ervin Bulku, trajneri i Kombëtares U-16, Agron Kërçova, trajneri i Kombëtares U-15, Armand Damo, trajneri i Kombëtares U-19 për vajza, Kreshnik Krepi, trajneri i Kombëtares U-17, për vajza, Agustin Kola si edhe drejtori i Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF, Dritan Babamusta dhe menaxheri Denis Lilo.

Pas prezantimit, trajneri Silvinjo u shpreh optimist për këtë bashkëpunim të ri dhe shfaqi entuziazmin e tij për këtë aventurë të re me Shqipërinë. Braziliani theksoi se bashkëpunimi mes trajnerëve të ekipeve kombëtare të moshave dhe Kombëtares A do të jetë shumë i ngushtë për të përgatitur dhe për të afirmuar sa më shumë lojtarë të talentuar.

Gjithashtu, Silvinjo u njoh edhe me mënyrën e organizimit të gjithë ekipeve të moshave dhe për programin apo metodologjitë stërvitore që ato aplikojnë gjatë vitit, teksa mori informacion edhe për mënyrën se si monitorohen elementët e spikatur të cilët aktivizohen veçanërisht jashtë vendit.

Trajneri i Kombëtares theksoi se qëllimi i përbashkët është i njëjtë, për të afirmuar sa më shumë futbollistë të rinj, por edhe për të marrë sa më shumë rezultate pozitive me të gjitha ekipet kombëtare të moshave. Takime të ngjashme do të jenë periodike në një kohë që stafi i ri teknik përgatitet për nisjen e eliminatoreve të Evropianit Gjermani 2024 në muajin mars.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025