Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Saranda Bogujevci, si dhe Ariana Musliu-Shoshi e Arben Gashi, anëtarë, është pritur në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla.
Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u diskutua lidhur me intensifikimin e angazhimeve të të dy parlamenteve dhe delegacioneve respektive në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, vetëm disa ditë pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kryesuesja Bogujevci falënderoi kryetaren Nikolla dhe delegacionin e Tiranës në APKiE për këtë kontribut.
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të lobuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE-së për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Sipas komunikatës, në këto takime të ngrohta e miqësore, u diskutua edhe për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy parlamenteve, në kuadër të veprimtarisë së përditshme parlamentare. Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Armand Skapi dhe drejtorin e përgjithshëm, Sokol Dedja.