Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot delegacionin e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, të kryesuar nga kryetarja, Stefania Gabriella Anastasia Craxi.
Nikolla u shpreh se i janë mirënjohës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të Shqipërisë.
“Shqipëria dhe Italia, Kuvendi dhe Senati, jemi të angazhuar për të kontribuar në Partneritetin Strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh. Ne i jemi mirënjohjës Italisë për mbështetjen e vendosur të zhvillimit dhe demokratizimit të vendit tonë si edhe për kontributin si avokatja më e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria dhe Italia janë partnerë në NATO, në mbështetjen e Ukrainës dhe në kontributet për mbrojtjen e sigurisë e të paqes në rajon, kontinent dhe në botë. Dëshirojmë e shpresojmë që Italia të mbështesë fort anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë nuk prevalojnë interesat, por miqësia, e cila i ka rrënjët në lidhjet e fuqishme historike e shpirtërore mes popujve tanë.”, tha Nikolla.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit të Jashtëm dhe Mbrojtjes të Senatit të Italisë, Stefania Gabriella Anastasia Craxi vuri në dukje se Shqipëria dhe Italia, përveç dy vende tradicionalisht e historikisht mike të ngushta, janë partnerë në përballimin dhe zgjidhjen e konflikteve të vështira gjeopolitike.