Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeshefit të Telekomit në Kosovë, Agron Mustafa, për rastin e kontratës me kompaninë “PAYKOS”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Mustafa akuzohet për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ai në vend se t’i mbrojë interesat e kompanisë, ka ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të saj dhe ka shkaktuar dëm në vlerë mbi 6 milionë e 396 mijë euro.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit të Kosovës SH.A në Prishtinë, më 16.03.2015 e në vazhdimësi me dije ka vepruar në dëm të PTK-së, ashtu që përmes lidhjes së anekseve, marrëveshjeve duke ndryshuar kushtet e kontratës në disfavor të ndërmarrjes që ka përfaqësuar, në vend që t’i mbrojë interesat e saj, i njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 € (gjashtë milion e shtatëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e dy euro)”, thuhet nw njoftim.