Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një personi me inicialet S.T, i nacionalitetit serb për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurit të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik, komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të rajonit të Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejtë në konflikt me ç’rast ka shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafin 1 shkronja a, b, c, të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 Gusht të vitit 1949 dhe Protokollet shtesë (protokollin I).”, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale.