Reshjet e borës, të shoqëruara me temperatura të ulëta dhe ngrica të forta, e kanë shndërruar Prishtinën në një sfidë të vërtetë për qarkullimin rrugor. Rrugët e mbuluara me borë dhe akull kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve, ndërsa këmbësorët përballen me rrezik të shtuar në trotuare të rrëshqitshme.
Qytetarë të shumtë ankohen se rrugët nuk janë pastruar me kohë nga bora dhe nuk ka pasur intervenim të mjaftueshëm nga institucionet përgjegjëse.
“Qe një orë jam nisur nga aeroporti për ta sjellë pasagjerin dhe kam pasur vështirësi të mëdha në qarkullim. Nuk e di a ekziston shteti, a punon ky shtet, a mendon për ne që lëvizim dhe punojmë ditëve të punës”, ka thënë ai, duke shprehur pakënaqësinë për gjendjen në terren.
Fajin për gjendjen e krijuar nuk ia lë vetëm Komunës së Prishtinës, por edhe institucioneve tjera shtetërore.
E një qytetar tjetër që sot lëvizi nga lagja “Tophane” drejt “Aktashit” në kryeqytet tregon për vështirësitë që i pati për të ecur mes borës dhe ngricës.
“Në lagjen ku banoj unë në Tophane ka pasur vështirësi mirëpo nëse qasesh në rrugë të tjera vërehet një pastrim i mirë”, tha ai.
“Po prej mëngjesit ka qenë ngrica, ka pas borë shumë, pastrimi ka munguar në mëngjes, po duket se pak është shkrirë, pak më mirë, por me mëngjes ka qenë katastrofë ka qenë”, thekon ai.
Përveç vështirësive për qarkullim në Prishtinë, qytetarët hasën problem në qarkullim edhe në rrugët regjionale.
Ai madje këshillon edhe shoferët që makinat e tyre t’i pajisin me pajisje dimërore.
“Për arsye se kam ardhur nga Prizreni, në Komoran kam hasur në vështirësi nuk ka qenë totalisht e pastruar rruga shpresoj që komuna e Prizrenit dhe vetë shteti të marrin iniciativë që me i pastrua rrugët për shkak të vërshimeve dhe pengesave që iu shfaqen shoferëve gjatë rrugës. mendoj se ish kanë mirë mu pajisur edhe me pajisje dimërore”, thotë ai.
Njoftimi i fundit që figuron në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës figuron para 14 orëve, kur u apeluan qytetarët të kenë kujdes në vozitje.
Pas tri ditëve me reshje të dendura të shiut, mbrëmë vendi ynë u mbulua nga bora dhe si pasojë në rrugët e Kosovës u shkaktua vështirësi në qarkullim.