Ngjyrë të kuqe e tymuese drejt institucioneve, gratë protestojnë kundër dhunës
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Ngjyrë të kuqe e tymuese drejt institucioneve, gratë protestojnë kundër dhunës
476496963_848683330725703_6570867677719522159_n
08/03/2025 - 15:26
Linku u kopjua

Pranë objekteve të Policisë së Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe atij të Qeverisë së Kosovës u hodh ngjyrë e tym i kuq nga Kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, në marshin tradicional që shënon Ditën e Gruas.

Me moton kryesore “Marshojmë për njëra tjetrën”, pjesëmarrësit e këtij marshi u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ndërkohë që fishkëllenin dhe brohorisnin duke kërkuar të drejtat e grave.

Në disa pjesë të rrugës e objekte vendosën mbishkrime të ngjyrosura në të cilat shkruan “çikat po i dhunojnë, të revoltohemi”.

Para hyrjes së objektit të Policisë së Kosovës qëndruan policë në afërsi, të cilëve u hodh tym i kuq, derisa marshuesit dëgjoheshin duke thënë “Poshtë polica partriarkale, policia i ka duart me gjakun e grave të vrara”.

Pasi përfunduan marshin pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, u kërkua drejtësi për gratë e dhunuara, për integritetin, sigurinë, dhe mirëqenien e të gjitha grave në punë, shkolla, shtëpi, e rrugë.

Alba Ajdarevikj nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se ky marsh bënë thirrje për t’i bërë ballë të vërtetës, ngase sipas saj, dinjiteti i grave në Kosovë nuk ka qenë e as nuk do të jenë primare nën sistemin patriarkal e kapitalist.

Ajdarevikj tha se ky 8 mars, le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, e revoltën për njëra tjetrën.

Ajo thirri për marsh kundër varfërisë së grave e drejtësi për gratë e komuniteteve jo shumicë.

“Sot le të  zotohemi që të kultivojmë aleancë. Të marshojmë kundër varfërisë së grave. Drejtësi për gratë rome, ashkalike, e egjiptiane ashtu siç ato e përcaktojnë. Për gratë trans e queer në shumëllojshmërinë e tyre. Për gratë muslimane që bartin besimin e tyre dukshëm. Marshojmë kundër kolonializmit, gjenocidit e luftës. Le të kultivojmë një kulture të përkujdeset e llogaridhënies me njëra-tjetrën, sepse dhuna nuk ushtrohet vetëm nga shteti! Ky 8 mars, le të jetë për solidaritetin, jetën, përkujdesjen, e revoltën për njëra tjetrën e një bote të lirë. Një çarje feministe kundër patriarkatit, kapitalizmit, e fashizmit”, tha Ajdarevikj.

Në marshin e sotëm përmes një zmadhuesi të zërit u përmendën emrat e grave të vrara viteve të fundit nga familjarët e tyre.

Gjithashtu, u kërkua drejtësi për gratë palestineze, derisa u lëshua këngë për Palestinën dhe në mesin e trumës valëviteshin dy flamuj të këtij shteti.

“Nata s’ka ispat për gratë”, “Punët e shtëpisë nuk janë të grave”, “Drejtësia e vonuar është padrejtësi”, janë ndër shkrimet e vendosura në pankartat që gratë dhe burrat mbanin në duar gjatë këtij marshi.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026