Një prej emrave më të spikatur të volejbollit kosovar, Blinera Jaha, i ka dhënë fund një karriere të gjatë e të suksesshme. Ajo u nderua për kontributin e jashtëzakonshëm që dha gjatë viteve në përfaqësimin e Kosovës, si në garat vendore ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Në një intervistë për KosovaPress, Jaha rrëfeu emocionet e këtij vendimi, duke theksuar se e ndjeu se kishte ardhur momenti i duhur për të mbyllur një kapitull 17-vjeçar me fanellën dardane dhe për t'ia lënë vendin brezit të ri.
Volejbollistja kujtoi edhe fillimet e vështira të Kombëtares.
“Kemi pasur vështirësi si në kushte, ashtu edhe në shumë gjëra të tjera. Sot jemi shumë më mirë. Nuk kemi mungesa për asgjë, si në veshmbathje, ashtu edhe në pjesën e ushqimit, trajtimit tonë; gjithçka është në nivelin e duhur. Kemi arritur në një pikë ku pothuajse jemi si ekipet ndërkombëtare. Është shumë mirë, kombëtarja po rritet dhe po vazhdon të rritet. Shumë çika të reja po dalin, po luajnë jashtë shtetit, diçka që e ndihmon volejbollin e Kosovës të ketë ngritje. Gjithashtu, kemi shënuar edhe fitoren e parë, e cila është historike për Kosovën.”,Gjithmonë kam biseduar me familjen time që dua t’ia nis një sporti, dhe specifikisht ai nuk ka qenë volejbolli. Unë babin e kam pasur futbollist dhe gjithmonë te ne ka mbretëruar një frymë sportive në shtëpi. Çdo natë është folur për sport, ndërsa sa herë që ka pasur ndonjë ndeshje të rëndësishme, sidomos në atë kohë kur e kemi përcjellë më shumë futbollin, i kemi shikuar të gjitha bashkë me familjen time. Kam qenë vetëm 11-vjeçare kur kam vendosur që dua të filloj me volejboll, dhe prej asaj dite nuk e kam ndërprerë asnjëherë.
Ndërkohë, ajo kujtoi me emocion edhe momentin kur u ftua për herë të parë në Kombëtare, duke theksuar se përfaqësimi i shtetit është ndjenjë e veçantë.
“Numrin 6 e kam pasur. Siç e përmenda më herët, babi ka qenë futbollist dhe ka luajtur për shumë vjet. Edhe siç e diskutuam në fillim për preferencat e çikave, gjithmonë flitej për numrin 10, numrin 7, se cili numër është më i preferuar. Në një bisedë me prindërit e mi, babi më tha: “Unë gjithmonë kam luajtur me numrin 6, merre edhe ti, që ta kemi të dy si kujtim.”,
KosovaPress