Nga tetori kalendari i imunizimit plotësohet edhe me tri vaksina të reja
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministria e Shëndetësisë ka paraparë që nga tetori i këtij viti në kalendarin e rregullt të imunizimit t’i përfshijë edhe tri vaksina të reja. Këto vaksina janë ajo kundër Pneumokoku, vaksina kundër Rotavirusit dhe HPV, e njohur si ajo e kundër kancerit në qafë të mitrës.

E dozat e mjaftueshme për shpërndarjen e tyre tashmë janë porositur nga Ministria e Shëndetësisë. Kështu kanë bërë të ditur nga kjo ministri në një përgjigje për KosovaPress.

“Vaksina kundër Pneumokoku, vaksina kundër Rotavirusit dhe HPV do të përfshihen në kalendarin e rregullt në tetor të këtij viti. Vaksinat jepen së bashku me vaksinat e tjera të kalendarit të rregull, jemi në përfundime të materialeve që do të përdoren për trajnime dhe shumë shpejt do të fillohet me trajnimin e profesionistëve shëndetësor. Vaksinat janë porositur në bazë të planifikimit të fëmijëve që i përkasin grup moshave të caktuara për vaksinim”, thuhej në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Profesionistja nacionale për imunizim në zyrën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovës, Edita Goranci-Haxhiu u shpreh për KosovaPress, se së shpejti të nis edhe trajnimi për profesionistët shëndetësor për shpërndarjen e këtyre tri lloje të vaksinave.

Përfshirja e këtyre tri lloj vaksinave në kalendarin e rregullt të vaksinimit, është mirëpritur edhe “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë“.

Zyrtarja e Programeve në AMC, Albiona Beha e ka quajtur si nismë të qëlluar vendosjen e vaksinës HPV, PVC dhe rota-virusit në kalendarin e imunizimit.

Sipas saj, kjo do të ndikojë që Kosova të gëzon një shoqëri më të shëndetshme.

E anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Armend Zemaj thekson se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për shpërndarjen e këtyre vaksina, por nënvizon se institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë me kohë blerjen e tyre.

Sipas planit të veprimit për vaksinim 2022-2025, përfshirja e këtyre vaksinave në programin e rregullt të vaksinimit pritet të rezultojë me ulje të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet si: kanceri i qafës së mitrës (Vaksina HPV), infeksionet me Rotavirus te fëmijët (Rota vaksina) dhe sëmundje të ndryshme që shkaktohen nga tipe të ndryshme të pneumokokut (Pneumokok Vaksina). /B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024