Transferimi i Ermal Krasniqit nga Ballkani te romunët e Kluzhit ishte lajmi më i madh në afatin kalimtar të janarit për futbollin kosovar. Ikja e tij nga kampioni i Kosovës bëri buj të madhe, por një operacion i tillë i solli përfitime financiare klubit suharekas.
Drejtori sportiv i “Ballkanit”, Nderim Nexhipi, ka thënë se këmbëngulja e madhe e klubit nga Rumania, bëri që ky operacion të mbyllej brenda një periudhe të shkurtër, duke shtuar edhe faktin se lojtarit i skadonte kontrata në përfundim të sezonit.
Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Nexhipi zbuloi se në klub kanë ardhur edhe oferta për lojtarë të tjerë të Ballkanit, duke përfshirë yjet kryesorë të skuadrës.
“Po, tani oferta zyrtare në klub deri në këtë moment ka pasur për Rrahmanin, për Dellovën interesim, Korenicën, Gripshin dhe patjetër që ta themi diamantin tonë të klubit, Emërllahun. Lindoni është një lojtar interesant sepse është 20 vjeç tani dhe ka bërë ndeshje e paraqitje të jashtëzakonshme në Evropë, normal që interesimi nuk do të mungojë. Me futjen në grupet e Ligës së Konferencës, mendoj që është zgjuar, do të thotë ka pasur një interesim të jashtëzakonshme për lojtarë tanë dhe kjo na bënë që të gjithë të vazhdojmë me punën që jemi duke e bërë që ndoshta, nëse jo në këtë afat kalimtar, ndoshta verës të kemi ndonjë lëvizje nga lojtarët”, tha ai.
“Unë e shoh Dritën si konkurrentin kryesor. Ne dhe Drita jemi diferencuar me ekipet tjera dhe do të jetë një luftë e zjarrtë deri në fund patjetër sepse Drita është ndër ekipet më cilësore. Aty tani normal e kemi Prishtinën, kemi Llapin, Gjilanin, edhe pse me problemet që i ka ndoshta financiare është çdo herë aty. Besoj që do të jetë një luftë e jashtëzakonshme deri në fund dhe shpresojmë që të jemi ne ata që në fund do Zoti e marrim titullin kampion”, tha Nexhipi.
Sipas Nexhipit, e ardhmja e Ballkani në aspektin financiar është e sigurt.
Në sukseset e “Ballkanit”, padyshim se elementi kryesor është trajneri Ilir Daja për të cilin javëve të fundit ka pasur spekulime se mund të largohet, por Nexhipi zbulon se ai është i paprekshëm.
“E ardhmja e trajnerit Ilir Daja nuk është vënë në dyshim sepse ne kemi një projekt gjitha bashkë këtu me trajnerin, me presidentin edhe besoj që do t’i rrimë sa më gjatë dhe do shpresojmë që këto rezultate që kemi marrë tani t’i kapin në vazhdimësi dhe nga viti në vit ky klub i Ballkani të rritet ashtu siç është duke u rritur. Patjetër që na pret një punë e rëndë, punë e jashtëzakonshme, sidoqoftë ne i kemi të gjitha kushtet, të gjitha gjërat që të vazhdojmë me këtë projekt të cilin e kemi filluar dhe shpresojmë që të zgjatë sa më shumë.”, tha në fund Nexhipi.