Për Mentor Petrelën, ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë, i cili ka kryer rreth 17 mijë operacione, janë dështimet gjatë punës ato që mbesin në mendje, ndërsa sipas tij sukseset harrohen.
Mesazhi i tij në intervistën për KosovaPress është që njerëzit të mësojnë nga gabimet, për të mos e përsëritur dëmin e bërë. Petrela konsideron se prioritet për sistemin shëndetësor në Shqipëri e Kosovë duhet të jetë shërbimi sa më i mirë ndaj pacientëve. Ndërkaq, thekson se neurokirurgjia në Kosovë është në prag të një hapi të madh, duke nisur nga investimet që po bëhen, porse krahas infrastrukturës nevojitet edhe shtimi i kapaciteteve njerëzore.
Për KosovaPress, neurokirurgu me përvojën e tij disa vjeçare, Mentor Petrela derisa tregon se ka kryer rreth 17 mijë operacione, thotë se gjatë punës së tij, në mendje i kanë mbetur vetëm dështimet që kanë ndikuar në mos përsëritjen e gabimit, për çka shton se sukseset harrohen dhe nuk janë të përjetshme. Petrela për neurokirurgjinë në Kosovë thotë se krahas investimeve në infrastrukturë, duhet të ketë edhe shtim të kapaciteteve njerëzore.
Kujtojmë se në vitin 2016, “World Academy of Neurological Surgery” përzgjodhi profesorin shqiptar Mentor Petrelën ndër 100 neurokirurgët më të mirë në botë. Disa vite me radhë, Mentor Petrela ka qenë pjesë e strukturave botërore akademike, duke dhënë kontributin në kërkimin shkencor nëpërmjet publikimeve dhe ligjërimit, por edhe duke ofruar konsulencën e tij për punën e gjatë.