Nesër shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Evropës, priten rezultate pozitive
Tema
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Të mërkurën do të mblidhet Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE. Në Kosovë presin që raporti të marrë dritën e gjelbër dhe të kalojë për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare, i cili do t’i hapte rrugë më pas vendimit final nga Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtme.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës janë optimistë se Kosova do të anëtarësohet në Këshill të Evropës në muajin maj, ndërkaq lajme pozitive presin edhe nga opozita dhe shoqëria civile.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, thotë për KosovaPress se rekomandimi i raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis është që Kosova të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës. Sipas tij, në raport theksohet se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet derisa hiqet edhe fusnota në referimin ndaj Kosovës.

Krahas kësaj, Ahmeti thotë se janë duke lobuar intensivisht që Kosova të marrë votat e nevojshme për anëtarësim në KiE, derisa shton se sot kanë konfirmuar votën pro edhe të Malit të Zi, përkundër paralajmërimeve se deputetja, Maja Vukiçeviq, që është kryetare e delegacionit malazias në Asamblenë Parlamentare, do të votojë kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Në anën tjetër, optimiste është edhe deputetja e PDK-së, njëherësh anëtare e delegacionit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Ariana Musliu, e cila thotë se Kosova meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës.

Ndërkaq, hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Levik Rushiti, thotë për KosovaPress se është shumë e rëndësishme që në mbledhjen e nesërme të votohet pro raportit për Kosovën dhe të jepet rekomandimi pozitiv për Kosovën.

Megjithatë, sipas tij, hapi i fundit për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i takon Komitetit të Ministrave.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do të mblidhet në muajin prill, derisa Komiteti i Ministrave të Punëve të Jashtëm në maj.

Përkushtimin për anëtarësim në Këshill të Evropës e dëshmuan edhe tre liderët e institucioneve të Kosovës, përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën, Dora Bakojanis, ku zotohen se do t’i zbatojnë të gjitha zotimet e marra përsipër nga dialogu i Brukselit, përfshirë Asociacionin.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022. /E.Zeqiri/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024