Komunat kërkojnë të mos ndryshohen faturat e tatimit në pronë, apelojnë qeverinë t’i konsultojë
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, komunat po insistojnë që vlera e faturave të mos ndryshohet. Ndonëse Projektligji për tatimin në pronë është në procedurë në Kuvendin e Kosovës, nga Asociacioni i Komunave po kërkojnë që paraprakisht të konsultohen edhe komunat.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke dhënë pikëpamjen e komunave për vendimin e Qeverisë së Kosovës thotë se faturat nuk duhet të ndryshojnë fare. Derisa kur flitet për falje të borxhit, ai thotë se për këtë vendim duhet të konsultohen komunat.

“Kryetarët e komunave kanë kërkuar që çdo gjë sa i përket tatimit në pronë të kthehet në pikën zero, pra, që të mos kemi ngritje të faturave të tatimit në pronë, për shkak situatës ekonomike sociale. Situata ekonomike sociale po shihet se nuk është duke ndryshuar për të mirë, dhe për këtë arsyeje edhe neve si Asociacion insistojmë që faturat e tatimit në pronë të mos ndryshohen, vlera e tyre të jetë e njëjtë me vitin 2022... Dhe sa i përket pagesës së tatimit në pronë me faturat e reja të cilat janë dërguar këtë vit në bazë të informatave që kemi nga drejtorët komunal të financave, qytetarët nuk kanë shprehur gatishmëri maksimale që ta paguajnë tatimin në pronë, sepse janë në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët apo muajt në vijim”, thotë Ibrahimi.

Madje, sipas tij, faturat e tatimit në pronë në vitin 2025 do të jenë edhe më të larta.

Pas iniciativës së Qeverisë për faljen e tatimit në pronë, Ibrahimi thotë se duhet të merret parasysh edhe vendimi i Kuvendit Komunal.

Për kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, rritja e çmimit të tatimit në pronë është në dëm të qytetarëve.

Nderkaq, Besart Selimi nga kabineti i kryetarit të Komunës së Gjilanit, e thotë të kundërtën. Sipas tij, qytetarët në këtë komunë, pavarësisht rritjes së tatimit në pronë po vazhdojnë t'i paguajnë faturat.

Se rritja e kësaj takse komunale do të shkaktojë dëme thonë edhe në Iniciatën për Progres (INPO).

Monitoruesi në INPO, Valmir Ilazi derisa thotë se nuk e mbështesin këtë vendim, thotë se i njëjti do të shkaktojë dëme në ekonominë familjare.

Sipas tij, më të dëmtuarit në këtë mes janë qytetarët.

Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, në të kundërtën do të gjobiten. Ndërsa afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.

Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024