SBASHK-u ka paralajmëruar për nesër protestë për shkak, siç thuhet, mungesës së gatishmërisë së Qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të punëtorëve në arsim, ndërkohë që MASHTI u bëri thirrje mësimdhënësve të mos humbin asnjë orë mësimore dhe me përgjegjësi të kryejnë detyrën e tyre.
Duke u bazuar në vendimin e federatave sindikale në kuadër të BSPK-së, në orët e mbrëmjes së të mërkurës është mbajtur takim i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të Universiteteve.
Duke u bazuar në këtë pjesëmarrësit në takimin e jashtëzakonshëm të SBASHK-ut kanë sjellë vendim që të premten shkollat dhe universitet nuk punojnë sepse punëtorët arsimorë me kohë do të nisen nga vendbanimet e tyre për t’u bërë pjesë e protestës.
Në këtë protestë do të jenë edhe anëtarësia e SBASHK-ut nga të gjitha Universitetet e Kosovës dhe i bëhet thirrje Qeverisë të reflektojë që të mos ndërmerren në të ardhmen veprimeve edhe më radikale.
Pretendimet e krerëve të SBASHK-ut për arsyet e mos mbajtjes së mësimit dhe mbajtjes së grevës nuk përkojnë as me gjendjen në arsimin parauniversitar, as me nevojat për ta përmirësuar atë. Ato thjesht janë instrumentalizim i një të drejte sublime siç janë e drejta e grevës dhe protestës për punëtorët, thuhet në një postim të MASHTI-it në Facebook.
Sipas MASHTI-t, humbja e mësimit është cenim i të drejtës themelore të fëmijëve për arsimim dhe si e tillë është e papranueshme.