Nëntë vjet nga vetërrëzimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sot, mbushen nëntë vjet nga vetërrëzimi i qeverisjes PDK-AKR, si dhe vetëshpërndarjes së Kuvendit të Kosovës.

Koalicioni PDK-AKR ishte prishur me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi, por jo edhe me pëlqimin e kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli. Këta të dy, bashkë me liderin e LDK-së opozitare Isa Mustafa kishin vendosur të shpërndahet edhe Kuvendi, pas takimeve me presidenten e atëhershme, Atifete Jahjaga.

Me 90 vota për 4 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi i Kosovës kishte marrë vendim më 7 maj 2014 që të shpërndante vetveten.

Me këtë vendim, Kuvendi kishte vendosur që të çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat ishin mbajtur më 8 qershor 2014.

Mocioni ishte ngritur nga një grup prej 57 deputetëve në bazë të marrëveshjes ndërmjet liderëve të PDK-së dhe LDK-së për shpërndarjen e Kuvendit.

Arsyetimin e kishte prezantuar deputeti i PDK-së, Arsim Bajrami, i cili kishte thënë se me këtë vendim, Kuvendi kishte hapur procedurat ligjore për shpalljen e datës së zgjedhjeve.

Nisma e deputetëve ishte mbështetur më pas edhe nga grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së, përderisa ata të AAK-së kishin prezantuar qëndrime të ndryshme./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024