Përmes një ceremonie, është nënshkruar memorandum bashkëpunimi për Lokalitetin Arkeologjik të Dresnikut, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku vlerësoi lokalitetin arkeologjik të Dresnikut si pasuri kombëtare e ndërkombëtare. Ai tha se ky lokalitet përmes materialit origjinal të zbuluar dëshmon mbi ekzistencën e jetës nga shekujt 2 dhe 3 për të vazhduar me periudhën e vonshme romake.
Ndërkaq, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jefrey Hovenier u shpreh i kënaqur për nënshkrimin e këtij memorandum bashkëpunimi, derisa potencoi se ky investim do të tërheq vizitorë të shumtë dhe do të forcojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ministri Çeku njoftoi se shumë shpejt do të mundësohet qasja e publikut në lokalitet dhe prezantimi i dëshmive materiale, përfshirë edhe mozaikun e jashtëzakonshëm.
Lokaliteti arkeologjik i Dresnikut gjendet në fshatin Dresnik i Poshtëm, rreth 1.5 km në lindje të qytetit të Klinës dhe shtrihet në mes të fshatit dhe lumit Drini i Bardhë. Gjate gërmimeve të viteve 2012-2015, janë identifikuar disa monumente arkitekturore prej të cilave veçohet Aula me përmasa të mëdha. Kjo lloj Aule mund ti përket vetëm pallateve të asaj kohe. Përveç madhësisë se objektit, ky monument veçohet për shkak të dyshemeve të tëra të mozaikut polikrom. /Z.Zeneli/