Mbi 80 milionë euro është vlera totale projektit të ngrohtores solare në Prishtinë, ku sot (e hënë) është nënshkruar marrëveshja e nën-huazimit dhe nën-grantit në mes të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe ngrohtores së qytetit Termokos.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ky projekt e rrit prodhimin e energjisë termike dhe u mundëson edhe 38 mijë qytetarëve të kyçen në rrjetin e Termokosit.
"Ngrohja soloare do te mundësojë shfrytëzimin dhe zvogëlojë varësinë ndaj qymyrit. Puna jonë ende nuk ka filluar. Si partner dhe hisedar jam shumë optimist do ta realizojmë në dy tri vite dhe do shohim rezultatet", u shpreh ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti i ngrohjes nxit rritjen ekonomike dhe përkrah qëndrueshmërinë mjedisore.
Edhe kryeshefi i Termokos-it, Fisnik Osmani tha se përmes këtij projekti do të sigurohet ngrohje e qëndrueshme dhe e përballueshme.
E drejtori i BERZH-it në Kosovë Sergiy Maslichenko theksoi se nga ky projekt do të ketë përfitime në Prishtinë, meqë ndotja, sipas tij është e lartë.
Edhe shefi i seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Madsen Stenbaek tha se 38 mijë qytetarë do të përfitojnë nga kjo ngrohje dhe se do të mundësohet zvogëlimi i ndotjes në kryeqytet.