Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Mimoza Ahmetaj, thotë se procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian po shkon drejt “vdekjes klinike”.
Ajo deklaron se përkundër takimeve në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel nuk pret rezultate konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur vitin e kaluar nga Kosova dhe Serbia.Ahmetaj në një intervistë për KosovaPress flet për vizitën e sotme të presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, mesazhet amerikane ndaj Kosovës, veprimet e qeverisë në veri dhe përgatitjet e PDK-së për zgjedhjet e shkurtit 2025.
Sa i përket vizitës së sotme të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Ahmetaj konsideron se për çështja e dialogut do të mbetet element kyç për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian në të ardhmen.
Në anën tjetër, nënkryetarja e PDK-së, kritikon ekzekutivin se në emër të shtrirjes së sovranitetit në veri e ka tkurrur sovranitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Ajo kritikon shumicën parlamentare për ikje nga seancat e jashtëzakonshme, të ftuara nga opozita, gjë e cila sipas saj, tregon se pushteti aktual nuk është në gjendje të ballafaqohet me të vërtetën dhe konsekuencat si rezultat i politikave të të saja të gabuara katërvjeçare.