Në trevjetorin e vrasjes së heroit Qerim Kelmendi kërkohet zbardhja e rastit
Më 27 shkurt 2023, janë bërë tri vite që nga dita kur barbarisht u vra Heroi të Kosovës, Qerim Kelmendi, në afërsi të shtëpisë së tij në fshatin Llabjan të Pejës.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e rastit të vrasjes së tij.
“Në këtë ditë të dhimbjes për familjen tonë, rikujtojmë opinionin e gjerë se deri më tani institucionet e Kosovës kanë dështuar që të zbardhin këtë rast. Përkundër faktit se Prokuroria Speciale e Kosovës tash e tre vite ka në hetim rastin, deri në këtë ditë, nuk ka arritur të zbardh asnjë rrethanë të rastit, të arrestojë e as të ngreh aktakuzë ndaj ndonjë të dyshuari. Në tre vjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit, Heroit të Kosovës, ne familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët, jemi thellësisht të indinjuar me mënyrën se si institucionet e drejtësisë së Republikës së Kosovës po neglizhojnë zbardhjen e vrasjes, përfshirë këtu Policinë e Kosovës, Hetuesinë e Pejës, Prokurorinë Themelore në Pejë dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në kërkesën e familjarëve drejtuar opinionit publik dhe instancave shtetërore.
“Fatkeqësisht deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete në drejtim të identifikimit të autorëve të vrasjes dhe vënies së tyre para drejtësisë. Ne, familjarët e Qerim Kelmendit, kemi takuar disa herë prokurorin e rastit në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, z. Haki Gecaj, të cilit në të kaluarën i jemi drejtuar edhe përmes shkresave zyrtare me qëllim që të kuptojmë se deri në cilën fazë ka mbërritur hetimi, por fatkeqësisht, nuk kemi pranuar asnjëherë ndonjë informatë konkrete”, thuhet në kërkesë.
Duke parë këtë mungesë të seriozitetit në procesin e hetimit, ne i bëjmë thirrje u.d të kryeprokurorit të shtetit, z.Besim Kelmendi, që të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në kuadër të kompetencave të tij, për të zbardhjen e kësaj vrasjeje.
Njëherësh shprehim dëshpërim të thellë ndaj Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, që përmes mosushtrimit të të drejtave të tyre ligjore e kushtetuese nuk kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes.
Më këtë rast kërkojmë nga ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu që me urgjencë të shfrytëzojë çdo mjet ligjor e kushtetues që ia garanton pozita që mban, në përshpejtimin e hetimit si dhe të këkojë e llogaridhënie për dështimin e komplet zinxhirit hetues në këtë rast.
Çdo dështim për zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, është dështim i institucioneve të drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës për të ofruar drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre.
“Rikujtojmë institucionet e drejtësisë si dhe Qeverinë e Kosovës se Qërim Kelmendit, Hero i Kosovës, ishte njëri ndër ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtari i parë i plagosur i kësaj ushtrie gjatë kryerjes së aksioneve ndaj forcave okupuese të Serbisë në vitet e 90-ta. Zbardhja e kësaj vrasje makabër duhet të shërbejë si pikënisje për zbardhjen e vrasjeve të të gjithë Ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët nuk kursyen asgjë për çlirimin e atdheut të tyre, Kosovës”, thuhet në kërkesën e familjarëve.