Përfaqësuesja A e Kosovës prej 19 korrik e deri më 05 gusht do të zhvillojë katër ndeshje në kuadër të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2025. Kosova është në Grupin H së bashku me Zvicrën dhe Danimarkën.
Ndeshjet si vendas basketbollistët e Kosovës për herë të parë do t’i luajnë në qytetin e Prizrenit, ku më 19 korrik e presin Zvicrën, ndërsa më 5 gusht janë nikoqirë të Danimarkës.
Duhet theksuar se në vitin e kaluar Federata e Basketbollit e Kosovës në Prizren e ka organizuar FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni C, si dhe këtë vit nga data 8 qershor deri më 12 qershor, Prizreni e mirëpret turneun ndërkombëtar të FIBA Youth Development Fund (FIBA Europe YDF), projekt ky që për qëllim ka zhvillimin e basketbollistëve/basketbollisteve të rinj. Shtetet të cilat do të jenë pjesëmarrëse në turneun ndërkombëtar të FIBA Europe YDF janë: Kosova U14, Maqedonia e Veriut U14, Bullgaria U14, Turqia U14 si dhe Rumania U14.
Përfaqësuesja A e Kosovës do të bëjë gara në fazën në raundin e tretë të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2025. Krahas ndeshjeve në shtëpi, Kosova udhëton për tu takuar me Danimarkën më 26 korrik, kurse në Zvicrën si mysafire do të përballet më 29 korrik.