Në pritje të vendimit të UEFA-s, çfarë e pret Kosovën?
Sport
Lexohet për: 4 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
UEFA, përkatësisht Komisioni Disiplinor i saj pritet që së shpejti të dal me një vendim për incidentin që ndodhi në Bukuresht në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndërmjet Rumanisë dhe Kosovës.
Kur po zhvilloheshin minutat shtesë, tifozët nga tribunat e stadiumit filluan të bënin fyerje dhe thirrje të ndryshme kundër Kosovës, veprim ky që detyroi kapitenin e Kosovës Amir Rrahmani që të kërkojë nga gjyqtari ndërprerjen e ndeshjes.
Megjithëse gjyqtari kryesor i ndeshjes kërkoi që ndeshja të vazhdohej, “Dardanët” këtë nuk e pranuan dhe kështu ndeshja u ndërpre përfundimisht dhe tashmë kanë nisur procedurat disiplinore për të dy federatat.
Frikë ka që një dënim i rëndë e pret edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, pikërisht për shkak të mos-dëgjueshmërisë së lojtarëve të Kosovës ndaj gjyqtarit që kërkonte që ndeshja të rifillonte.
Ish-Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, thotë për KosovaPress se edhe Kosova mund të dënohet rëndë për këtë incident.
“I vetmi autoriret, e dinë të gjithë këtë, i cili mund ta ndërprejë ndeshjen është referi. Këtu referi nuk e ka ndërprerë, prandaj i frikësohem pasojave...Së pari më e mira e mundshme do të ishte që ndeshja të regjistrohet ashtu siç është (0-0), por unë frikësohem që do ta humbim ndeshjen me rezultat zyrtar 3-0 për arsyen e vetme që referi nuk ka dhënë shenjë për përfundim të ndeshjes dhe ka kërkuar që lojtarët të kthehen, pa marr parasysh a kemi pasur të drejtë...Mos ta gënjejmë vetveten, duhet ta dimë që ka pasoja. Pra nëse kemi vendosur ta lëshojmë lojën, në rregull e lëshuam dhe i kemi pritur pasojat, por ke vendosur ta lëshosh dhe tani po pret diçka mendoj që është potez i gabuar”, thotë
Nga ana tjetër, gazetari i sportit në Maqedoninë e Veriut Reshat Ibraimi, thotë se UEFA do të shqiptojë gjoba për të dy federatat, derisa konsideron se vendimi i lojtarëve të Kosovës për të mos u kthyer në fushë ishte paksa i ngutshëm.
“Unë mendoj se gjoba do të ketë edhe për Kosovën edhe ër Rumaninë por se çfarë dënimesh do të merren ose do të jepen nuk jam i sigurt...Ndoshta ka qene pak vendim i nxituar nga ana e kapitenit Amir Rrahmani. Ndoshta është dashur të kthehet në fushë, të dëgjohet referi dhe delegati sepse siç kemi lexuar në raportet e delegatit kanë kërkuar nga futbollistët e kombëtares që kthehen në fushë...Ndoshta do të kishte qenë shumë më mirë që Rrahmani dhe bashkëlojtarët e tij dhe federata me në krye Agim Ademin të marrin një qëndrim më ndryshe që t’u thuhet edhe referit edhe delegatit që të zbrazet ajo pjesë e stadiumit ku po fyhej Kombëtarja e Kosovës”, thotë Ibraimi.
Por, trajneri kosovar Tahir Batatina konsideron se FFK duhet të kërkojë nga UEFA që ta fitojë këtë ndeshje me rezultat zyrtar 3-0 edhe pse, sipas tij, është vështirë t’i shmanget një dënimi me gjobë materiale në këtë rast.
“Federata e Futbollit të Kosovës ka njerëz të kësaj fushe të nivelit shumë të lartë që t’i adresojë gjërat rreth ndeshjes, të kërkojë pikët e plota në atë ndeshje. Duhet të kërkojë edhe një gjë që ajo të jetë më e rëndësishmja për ne dhe për shtetin e Kosovës dhe futbollin tonë, sikur që iu është ndaluar shqiptarëve bërja e shqiponjës nëpër ndeshje të futbollit, të iu ndalohet të gjitha tifozerive që në momentin që luan Kosova të përdorej fjala Serbi...Pa marrë parasysh çfarë gjobe mund të marrim nga UEFA për të cilën mund të marrim një gjobë me mjete materiale për lirimin e fushës, por besoj në gjërat të tjera sepse edhe ata e kuptojnë anën emocionale të lojtarëve të Kosovës”, thekson Batatina.
UEFA njoftoi më 16 nëntor për hapjen e procedurave disiplinore ndaj të dyja federatave, dhe tha se do ta kumtojë vendimin rreth procedurave “kur të jetë koha e përshtatshme.