Kombëtarja e Shqipërisë U-18 po stërvitet prej disa ditësh në Koverçano të Italisë, ashtu si edhe Kombëtarja U-19 kuqezi, duke u përgatitur për miqësoren me Italinë U-18, që do të luhet më datën 11 gusht në ora 10:30. Nën urdhrat e trajnerit Ardi Behari janë vënë të 21 lojtarët e ftuar për këtë test prestigji dhe përgatitjet po shkojnë shumë mirë deri më tani.
Nga lojtarët e grumbulluar, 12 prej tyre aktivizohen me klube shqiptare, ndërsa 9 vijnë nga klube të huaja. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë vazhdimisht pjesë e ekipeve Kombëtare të moshave U-16 dhe U-17 e tashmë bëhen gati për të treguar vlerat me synimin për të kaluar në Kombëtaren U-19 dhe më lart.
Përgatitjet për testin me Italinë – “Është dita e 3-të e grumbullimit të Kombëtares U-18 në Itali, në kushte vërtetë të shkëlqyera për stërvitje dhe përfitoj nga rasti të falënderoj, edhe në emër të ekipit Kombëtar U 18, Federatën Shqiptare të Futbollit që e bëri të mundur organizimin e kësaj miqësoreje në Koverçano. Është vërtetë për t’u vlerësuar fakti që arrijmë të kemi miqësore të këtij niveli nga të cilat përfitojmë në të gjitha drejtimet.
Grupi është i plotë dhe në gjendje të mirë fizike, sepse pothuajse të gjithë lojtarët janë në fazën përmbyllëse të përgatitjeve para fillimit të kampionateve”.
Objektivat e miqësores – “Në fakt është hera e dytë që luajmë ndaj Italisë, luajtëm edhe vjet në këtë periudhë dhe shpresoj që të bëhet e përvitshme, sepse është një ndeshje miqësore që vlen shumë, jo vetëm për çfarë përfaqëson kundërshtari në futbollin evropian dhe atë botëror, por ajo që vlen më shumë është ndikimi në mentalitetin dhe personalitetin e lojtarëve tanë.
E rëndësishme është që të përballemi si të barabartë me Italinë, sepse insistoj të theksoj se skuadra jone kombëtare e vitlindjes 2005, është skuadër me pritshmëri të larta për elementët që ka në përbërje. Po ashtu kjo ndeshje është një mundësi e mirë për lojtarët e kësaj vitlindjeje, për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar U-19, në eliminatoret e Europianit në shtator, siç është rasti i Arlind Kurtit, i cili prej disa kohesh është pjesëtar i përfaqësueses U-19. Synojmë që të mund të evidentojmë sa më shumë lojtarë të perspektivës të cilët do të mund të vazhdojnë rrugëtimin e tyre në të gjitha ekipet kombëtare të moshave dhe Kombëtaren A”.