Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar një sërë parregullsish në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim (MKK) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2025, duke konstatuar mangësi në menaxhimin e pasurisë, regjistrimin e investimeve dhe zbatimin e rekomandimeve të mëhershme. Raporti ka rezultuar me opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të ministrisë.
Një nga gjetjet më interesante të auditorit lidhet me investimet kapitale të realizuara nga ministria. Sipas raportit, disa investime të përfunduara dhe të dorëzuara te përfituesit vazhdonin të figuronin në regjistrat e ministrisë si pasuri e saj, duke krijuar pasqyrim jo të saktë të aseteve. Për auditorin, kjo ka shkaktuar mbivlerësim të pasurisë kapitale dhe ka ndikuar në besueshmërinë e pasqyrave financiare.
Po ashtu, janë identifikuar katër artikuj të pasurisë kapitale me vlerë totale 5,272 euro që nuk ishin regjistruar fare në regjistrin e pasurive, duke rezultuar në nënvlerësim të pasurisë së ministrisë.
Një element që bie në sy është fakti se Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk gjeneron të hyra të rregullta, ndërsa gjatë vitit 2025 ka realizuar vetëm 7,870 euro të hyra të tjera, një shumë simbolike krahasuar me buxhetin prej mbi 8 milionë eurosh që ka administruar.
Sipas auditimit, ministria ka shpenzuar 8.17 milionë euro gjatë vitit 2025, ku pjesa më e madhe e mjeteve është orientuar në subvencione dhe transfere, investime kapitale dhe paga.