Është përuruar të hënën pllaka përkujtimore në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, në të cilën gjatë viteve 1991-1998 u zhvillua procesi mësimor për nxënësit e shkollës së mesme të muzikës "Prenk Jakova" në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është zgjedhur pikërisht data 7 Mars dita e mësuesit për të kujtuar, Ibrahim Gashin i cili ka dhënë kontribut të madh për Kosovën, ndërsa për ata që se kanë njohur, sot i gëzojnë frytet e kontributit tij.
Ndërkaq ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci shprehu mirënjohje për gjithë ata që kanë prishur rehatinë e tyre për ta mbajtur arsimin gjallë.
“Me gjenerata kanë kontribuar për ta mbajtur gjallë arsimin shqip. Se kemi pas lehtë me vendos për shtëpi sepse janë me mijëra familje, por jo rastësisht kemi ardhur këtu, duke pasur parasysh gjithë kontributin e vazhdueshëm e me vite të Ibrahim Gashit. Prej këtu shpreh mirënjohje për të gjitha familjet, për të gjithë qytetarët që kanë prishur rehatinë, dhomat e ditës, dhomat e gjumit i kanë kthyer në klasë për ta mbajtur gjallë arsimin", tha Nagavci.