Tetë shtatori i vitit të kaluar u konsiderua si datë shumë e rëndësishme për sportin e Kosovës pasi në Greqi Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Por, tashmë kur po bëhet një vit nga kjo marrëveshje, në Kosovë nuk është bërë asnjë hap për të përmbushur marrëveshjen e nënshkruar, madje nuk është formuar as Komiteti Organizativ që do të merrej me punët operacionale në teren.
Për të marrë një përgjigje rreth këtyre zhvillimeve, KosovaPress ka kontaktuar edhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Në përgjigjen e tyre, ata kanë thënë se nuk dëshirojnë ta komentojnë këtë situatë, derisa kanë rekomanduar që për këtë çështje të merren informacione nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Sa i përket Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ju këshillojmë që të kontaktoni Komitetin Olimpik të Kosovës për t'ju ofruar më shumë informacion mbi këtë temë”, thuhet në përgjigjen e ICMKG-së.